Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi ka thënë se kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Beograd më 11 nëntor do të tentojë të vizitoj edhe Preshevën. Ai ka shpalosur detaje gjatë një bisede në Info Magazine të Klan Kosovës. “Plani i kryeministrit Rama ishte të vizitojë Preshevën më 23 nëntor, pas një qëndrimi një ditor në Beograd më datë 22. Tani për të qenë të siqertë ende nuk ka një kalendar të saktë, por dëshira e kryeministrit për ta vizituar Preshevën është edhe tani gjatë 11 nëntorit. Vajtja e një kryeministri të Shqipërisë në Beograd do të nxjerr në sipërfaqe edhe inkurajimin e dialogut Prishtinë Beograd por edhe problemin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi” – tha ambasadori shqiptar.
Minxhozi tha se Rama bëri mirë që nuk u ndikua nga emocionet për ta ndërprerë vizitën, pasi sipas tij, një vendim i tillë do të merrte përmasa të tilla rajonale. “Nëse do kishim një anulim vizitën, do të ishte keq për Kosovën, keq për Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi e Maqedoni. Do të ishte një shembull i keq. Sepse kemi këto nisma rajonale janë shumë të rëndësishme. Pa një kurajo politike dhe diplomatike këto probleme do të qëndronin në vend”
Minxhozi tha se ishte presioni ndaj Vucic faktori që detyroi shtyrjen e vizitës në Beograd. “Atje presioni ishte i madh që vizita të mos realizohet. U deshtë ndërkombëtarët që të ndërhyjë. Jo palët sepse ne jemi të bindur, por palën serbe, sepse pala shqiptare e pa më me realizëm dhe nuk u kap nga nacionalizmi”
Pavarësisht që e quajti një momemtum të ri raportin shqiptaro-serb,diplomati shqiptar tha se Serbia po vuan ende nga e kaluara. “Serbia vuan ende nga reminishenca e viteve të 90-të. Grandomania, vendi i madh etj me radhë. Por nuk është më shkëlqimi të paktën gjeografik i asaj ish Jugosllavie. Ka krahë shumë të brishta për të mbajtur peshën e Federatës Jugosllave. Është zvogëluar në volum dhe në apetite duhet të jetë shumë më e matur, ndonëse ka shënuar disa hapa parapara”, përfundoi ai.















