Ambasadori Britanik në Tiranë thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme tani më shumë se kurrë. Reforma në Drejtësi, një hap i rëndësishëm për ta luftuar korrupsionin.
Nga Rudina Hoxha
Në intervistën e tij të parë për shtypin e shkruar fill pas marrjes së postit të Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Shqipëri, z. Duncan Norman thotë se objektivi i tij është t’i japë një frymëmarrje tjetër marrëdhënieve dypalëshe midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, kështu që “ne mund të jemi më të përfshirë për të ndihmuar Shqipërisë në shumë më tepër fusha dhe në vazhdimin e konsolidimit të atyre lidhjeve që tashmë ekzistojnë midis nesh”. Sipas tij, një nga problemet kryesore- zgjidhja e të cilit, do ta përmirësonte dukshëm imazhin e Shqipërisë në Britaninë e Madhe- është lufta kundër krimit të organizuar që po ashtu do të godiste përfshirjen e shqiptarëve në krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës në Britaninë e Madhe. “Aktualisht janë rreth 400-500 shqiptarë që vuajnë dënimet e tyre në burgjet angleze. Është një numër shumë i madh, i mjaftueshëm për të ngritur një burg më vete. Kjo është diçka që nevojitet të zgjidhet, ashtu siç edhe po bëjmë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për të mënjanuar krimin e organizuar dhe dëmin që po iu bëhet të dyja vendeve prej tij. Nëse e zgjidhim këtë gjë, ky do të ishte një hap i madh drejt përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe”, tha Norman. Gjithashtu, Ambasadori, i cili mori pjesë në një numër aktivitetesh të lidhura me komunitetin LBGT, tha se bisedat rreth çështjeve të lidhura me këtë komunitet, duhet të jenë kolektive dhe të vazhdueshme dhe jo thjesht disa ditë në vit.
Z.Ambasador, si po ndiheni në Shqipëri? Jeni rehatuar tashmë?
Kam mësuar diçka rreth Shqipërisë kur unë punoja mbi të në vitin 1993, nga Londra, pa pasur mundësi ta vizitoja në atë kohë. Por dija diçka rreth të shkuarës së Shqipërisë. Vendi që pashë kur erdha në Shqipëri ishte komplet ndryshe padyshim nga ai që ishte në 1993. U befasova nga zhvillimi që ka bërë vendi. Sapo vjen në këtë vend, shikon aeroportin modern dhe rrugët fantastike që të çojnë drejt qytetit të gjallërueshëm të Tiranës. Infrastruktura ka ndryshuar këtu përtej asaj që mund të besohet. Përshtypja ime e parë ishte jashtëzakonisht pozitive. Dhe padyshim, njerëzit janë shumë miqësorë dhe Shqipëria është një vend i këndshëm për të punuar. Por, institucionet janë shumë të reja, të dala nga një demokraci 25-vjeçare. Për shembull, ne e dimë që sistemi i drejtësisë është shumë i dobët. E njëjta gjë me Parlamentin, është i ri. Prandaj ka shumë për të mësuar këtu se si funksionon demokracia. Pra, këtu ka një përzierje të çuditshme midis një zhvillimi të mrekullueshëm dhe disa fushave të tjera ku nevojitet ende zhvillim.
Cili është kontributi kryesor që Britania e Madhe po jep aktualisht ndaj reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri?
Ne punojmë ngushtësisht me Shkollën e Magjistraturës. Ne po ofrojmë shumë trajnime dhe ndihmë përfshirë atë nga disa gjykatës me eksperiencë nga Britania e Madhe. Në fakt, disa javë më parë, u ftova në ceremoninë e diplomimit të brezit të këtij viti të magjistratëve e cila ishte diçka e mrekullueshme për t’u mbështetur. Isha shumë i kënaqur që isha atje së bashku me dy gjykatës britanikë. Kjo mendoj nuk është vetëm një simbol i mbështetjes që Britania e Madhe po i jep reformës së drejtësisë në Shqipëri por patjetër ajo që është më e rëndësishmja është ndihma praktike për të cilën ka aq shumë nevojë këtu.
A keni një koment për debatin e madh që ekziston në Shqipëri sa i takon trafikut të drogës dhe përfshirjes së aluduar të politikës në të?
Ne kemi punuar me qeverinë shqiptare për shumë vite në luftën kundër krimit të organizuar e cila përfshin edhe narkotikët. Ne e dimë se fatkeqësisht qytetarë shqiptarë janë përfshirë në krimin e organizuar në Britaninë e Madhe. Dhe kjo përfshin edhe trafikimin e drogave serioze si kokaina apo heroina. Ajo që po vëmë re së fundmi me kultivimin e kanabisit në Shqipëri është diçka që na shqetëson dhe ne mendojmë se duke vazhduar vendosjen e lidhjeve midis agjencive ligjzbatuese ne mund të vazhdojmë të ndihmojmë Shqipërinë në lidhje me një problem serioz si ky.
Sipas pikëpamjes suaj, a është korrupsioni problemi më serioz në Shqipëri?
Mendoj se korrupsioni është një problem i madh në Shqipëri. Mendoj se ndikon në të gjitha pjesët e shoqërisë. Gjatë kohës sime të shkurtër këtu, kam dëgjuar shumë histori mbi korrupsionin, që nga njerëzit që duhet t’iu paguanin lekë doktorëve, problemet me bizneset dhe me mënyrën se si ato duhet të operonin deri te historitë me sistemin e drejtësisë. Dhe mendoj se ky është një problem gjithëpërfshirës dhe mënyra e vetme për t’u marrë me të është të bësh gjëra si Reforma në Drejtësi dhe kjo e fundit është një hap i rëndësishëm për ta luftuar korrupsionin.
Si do ta vlerësonit vizitën e fundit të Kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta në Britaninë e Madhe? Në çfarë mënyrë, do të ketë ndikim kjo vizitë në marrëdhëniet dypalëshe?
Ishte një vizitë shumë e rëndësishme e realizuar me ftesë të homologut anglez. Z. Meta pati mundësinë të takohej me ministra britanikë. Kështu ai u takua me z. David Lidington, i cili është Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve. Ai ka pas qenë edhe ministër për Europën. Ai u takua me ministrat e Home Office. Pra, ai me të vërtetë i vendosi këto lidhje. Dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme. Pastaj, menjëherë pas vizitës së z. Meta, ne patëm edhe vizitën e parë në Shqipëri, të Sekretarit të Shtetit Anglez për Mbrojtjen, Michael Fallon.
A keni një vizion se ku doni t’i çoni marrëdhëniet midis dy vendeve tona gjatë mandatit tuaj?
Marrëdhëniet dypalëshe janë tashmë të forta. Sidomos në disa fusha. Kështu ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë në fushën e mbrojtjes. Ne punojmë ngushtë në kontekstin e NATO-s. Ne sapo kemi përfunduar me sukses një seri stërvitjesh, kështu ne ishim një pjesë e madhe e stërvitjes së NATO-s të udhëhequr nga Shqipëria. Ne patëm trupa britanikë që kontribuuan ndaj kësaj stërvitjeje. Më pas, trupat britanikë ishin pjesë e Albania Lion Exercise, ku kishte kontingjentë shqiptarë gjithashtu. Kjo aftësi për të punuar ngushtas së bashku në kuadrin e NATO-s është një gjë shumë e rëndësishme për ne. Ne jemi shumë të kënaqur që një njësi komandosh shqiptare do t’i bashkohen brigadës britanike të gatishmërisë së lartë, e cila do të vihen në veprim vitin tjetër. Shqipëria do të jetë një pjesë e plotë e kësaj force. Ne folëm më sipër për kontributin tonë ndaj Reformës në Drejtësi. Ne gjithashtu po punojmë me qeverinë shqiptare për reformimin e sistemit të arsimit të lartë. Pra, ka shumë shembuj. Por ajo që dua të shoh është më tepër frymëmarrje në këtë marrëdhënie me qëllim që ne të përfshihemi në dhënien e ndihmës në shumë fusha në Shqipëri dhe të vazhdojmë të forcojmë lidhjet që tashmë i kemi. Do të ishte mirë të shikonin më shumë lidhje në fushën e mbrojtjes. Ne jemi gjerësisht të përfshirë në Marinë dhe do të donim të shihnim më shumë trupa britanikë që trajnohen këtu. Do të ishte mirë të shihnim më shumë lidhje në luftën kundër krimit të organizuar. Siç e përmenda ne kemi punuar fort me qeverinë shqiptare në këtë aspekt dhe është e rëndësishme t’i forcojmë këto lidhje edhe më tej. Po ashtu edhe në fusha të tjera. Marrëdhënia midis dy vendeve tona ka qenë gjithmonë e rëndësishme por mendoj se tani ajo është më e rëndësishme se kurrë më parë.
A mendoni se rruga në BE është shumë më e rëndësishme se faktit i të bërit pjesë e kësaj familjeje të madhe?
Ne kemi rënë dakord se ajo që shihet nga perspektiva britanike është rëndësia e programit të reformave për Shqipërinë. Patjetër ne e kuptojmë përse Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Por pika reale dhe më e rëndësishme e këtyre reformave është se çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë në vetvete. Dhe është e rëndësishme se çfarë po bën Shqipëria në këtë drejtim dhe përse. Sepse është gjëja e duhur për t’u bërë dhe pikërisht kjo do ta bëjë shoqërinë më të mirë. Do t’ju bëjë ju më të suksesshëm. Kjo duhet të jetë forca shtytëse dhe jo thjesht anëtarësimi në BE si një qëllim në vetvete. Ky mendoj se është motivim i rëndësishëm.
A e keni ndjekur debatin për mbetjet e riciklueshme në vend?
Varet nga secili vend të vendosë rreth kësaj çështjeje. Patjetër është një çështje që është diskutuar edhe në Britaninë e Madhe. Mbaj mend se në vitet kur isha i ri, ne nuk ishim mësuar me riciklimin e gjërave për shembull. Por tani kjo është pjesë e jetës sonë. Por do kohë. Gjëja e rëndësishme për Shqipërinë si një vend është të aplikojë politikat e duhura për riciklimin. Është e rëndësishme edhe për botën mbarë njëkohësisht. Ne nuk mund të jetojmë të izoluar. Mënyra se si ne e trajtojmë mjedisin tonë ndikon te mjedisi në përgjithësi. Çdo vend ka përgjegjësinë e tij kundrejt mjedisit botëror.
Ish-Ambasadori Shqiptar në Britaninë e Madhe, z. Mal Berisha, bëri një punë të madhe për të ngritur imazhin e Shqipërinë në Angli. Me sa dini ju, a po vazhdon një traditë e tillë?
Për të qenë të drejtë, mendoj se imazhi i Shqipërisë është përmirësuar deri në një pikë. Por ka shumë për të bërë. Për shembull, çështjet lidhur me krimin e organizuar janë shumë të njohura në Britaninë e Madhe. Aktualisht janë rreth 400-500 shqiptarë që vuajnë dënimet e tyre në burgjet angleze. Është një numër shumë i madh, i mjaftueshëm për të ngritur një burg më vete. Kjo është diçka që nevojitet të zgjidhet ashtu siç po bëjmë me qeverinë shqiptare tani për të mënjanuar krimin e organizuar dhe dëmin që po iu bëhet të dyja vendeve prej tij. Nëse e zgjidhim këtë gjë, ky do të ishte një hap i madh drejt përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe.
Ambasada Britanike në Shqipëri organizoi disa aktivitete me rastin e ditës kombëtare të deklarimit hapur të orientimit seksual të komunitetit LGBT. Cilat ishin ato?
Gjëja e parë që bëmë ishte vendosja e flamurit me ngjyrat e ylberit – simbol i komunitetit të LBGT ( Lesbian, Gay, Bisexual dhe Transgender) – për herë të parë në Ambasadën tonë. Kjo është e rëndësishme sepse 11 tetori ishte dita kombëtare e deklarimit hapur të orientimit seksual të komunitetit LGBT. Dhe ne duam të tregojmë mbështetjen tonë. Britania e Madhe beson fort se askush nuk duhet të diskriminohet thjesht për shkak se kë dashuron. Dhe kjo është diçka e rëndësishme për ne. Gjëja e dytë që bëmë unë vizitova strehën për të rinjtë e pastrehë të komunitetit LGBT. Dëgjova disa nga historitë e tyre por edhe disa të tjera, që ishin të jashtëzakonshme, sa i takon përpjekjeve të tyre për të rindërtuar jetët e veta dhe se si “Streha” po i ndihmon dhe mbështet ato. U ndjeva shumë i frymëzuar. Mendoj se është shumë e rëndësishme qe komuniteti ndërkombëtar së bashku me qeverinë shqiptare, ta ndiejë se mund të flasim për çështje të tilla. Një çështje e tillë duhet të jetë pjesë e bisedave tona jo vetëm për një ditë të vetme në vit.
Përfaqësues të Familjes Mbretërore Britanike erdhën në Shqipëri për të marrë pjesë në kurorëzimin e Princ Lekës. Si i përjetuat këto momente?
Ne ishim të lumtur qe mikpritëm Princin dhe Princeshën Michael of Kent – Princi është kushëriri i Mbretëreshës. Kjo ishte vizita e parë e një anëtari të Familjes Mbretërore Britanike në Shqipëri. Për mua si Ambasador i ri i Britanisë në Shqipëri, ishte fantastike t’i prisja ata. Ata erdhën për të marrë pjesë në dasmën e Princ Lekës me të cilin Princesha Michael ka edhe lidhje farefisnore. Atyre iu bëri shumë përshtypje Shqipëria. Ata e dashuruan këtë vend dhe thanë se do të donin shumë të vinin përsëri.
A keni një mesazh për median shqiptare sa i takon bashkëpunimit me Ambasadën Britanike si dhe përqasjes së tyre ndaj çështjeve më të nxehta të vendit?
Ka shumë gjëra. Së pari, ne jemi duke punuar ngushtas me median shqiptare. Mendoj se është e rëndësishme të kemi një lidhje të fortë me median këtu. Kjo është çështja që do të jetë në vëmendjen e Ambasadës në vitet e ardhshme. Shpresoj se do të më shihni më shpesh mua dhe ekipin tim. Mendoj se kjo është e rëndësishme pikë së pari, sepse media në Shqipëri është një nga institucionet që është relativisht e re dhe ne duam të mbështesim median e lirë. Në çdo demokraci, media luan një rol kyç. Së dyti, ne kemi një histori për të treguar sa i takon marrëdhënieve midis dy vendeve tona ndaj të cilave ne po punojmë së bashku dhe ku mund të punojmë në të ardhmen. Vërtet që dua ta diskutoj këtë gjë me median këtu. Pra, ekziston një histori për t’u dëgjuar. mapo























