Ambasadori britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith, ka paralajmëruar se non grata të tjerë mund të shpallen së shpejti, pas shpalljes së ish-kryeministrit Sali Berisha. I ftuar në emisionin “Open” në News24, ai u shpreh se kjo bëhet për të mbështetur institucionet e drejtësisë shqiptare në shërbim të luftës ndaj korrupsionit dhe llogaridhënies.
“Po mund të ketë. Ky nuk është vendimi mi por po diskutohet nga qeveria, kjo bëhet sa herë ka çështje kundër korrupsionit. Kjo shihet si mbështetje për institucionet e pavarura në Shqipëri për të luftuar korrupsionin, llogaridhënia është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Ambasadori ka shtuar se emrat mund të jenë si nga opozita ashtu edhe nga qeveria, pasi sipas tij jë vendim i tillë nuk varet nga sfondi, por nga aktet e gjithsecilit.
“Sanksionet tona zbatohen në të gjithë spektrin, nga biznesi e të tjerë. Nuk bazohemi tek sfondi por tek aktet e tyre”, tha ai.
Ai foli edhe në lidhje me fushatën zgjedhore, ndërsa u shpreh se mesazhi i tij për qytetarët shqiptarë është të votojnë për kandidatin që do tu shërbejë interesit të tyre e të mos lejojnë vjedhjen e votës.
“Kur njerëzit humbin jetën e kërcënohen, kjo nuk duhet të jetë pjesë e një sistemi demokratik. OSBE ka pasur shqetësim edhe për fenomenin e blerjes së votës. Do shohim edhe se sa raportohet nga njerëzit ky fenomen. Mesazhi ynë për votuesit është të votojnë atë që përfaqëson interesin e tyre dhe të mos lejojnë blerjen e votës.
Nuk kam vlerësim të plotë çka ndodhur në këto zgjedhje sa i përket përdorimit të fondeve publike, por në të shkuarën ka pasur keqpërdorim në pushtet qendror re vendor. Përdorimi i pushtetit nuk duhet të jetë përcaktues për rezultatit të zgjedhjeve”, tha ambasadori britanik.
Ambasadori foli konkretisht edhe mbi shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe arsyet që qëndrojnë pas një vendimi të tillë. Sa i përket bashkëpunimit me Berishën si drejtues i opozitës, ai u shpreh se qasja e qeverisë së vendit të tij është të mos bashkëpunojë me persona të sanksionuara nga Britania, SHBA apo partnerët.




















