Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, mazhoranca ka nisur e vetme procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të plotësuar vendet vakante që gjenden në të. Përmes një procedure ekstraligjore, Komisioni i Medias ka zhvilluar dje dy mbledhje, ku ka skualifikuar nga gara 2 emrat e parë, nga 26 që ishin gjithsej në garë. Kjo sipas një logjike që në thelb i përmbahet asaj që përcakton ligji, por që shkel procedurën që përcaktohet në skualifikimin e kandidatëve. Kështu, përfaqësuesit e majtë në këtë komision janë mbledhur fillimisht dje paradite, ku pasi kanë hapur procesin në një mbledhje me dyer të mbyllura, kanë vendosur të skualifikojnë kandidatin e parë. Bëhet fjalë për emrin e Marjana Çelës, e cila është përjashtuar nga e drejta për të vijuar më tej konkurrimin. “Kemi përjashtuar kandidaten Marjana Çela, vendimi për të cilën, së bashku me procesverbalin e mbledhjes t’u njoftohet menjëherë përfaqësuesve të opozitës në rrugë zyrtare, me qëllimin që të vijnë e të ushtrojnë detyrën e tyre për eliminimin e kandidatit të radhës, sipas përcaktimit ligjor”, – tha nënkryetari i komisionit Alfred Peza për mediat. Më pas komisioni, për të realizuar dhe një hap të fundit formal, ka vendosur ta ndërpresë mbledhjen për t’i lënë disa orë kohë opozitës që të vinte në komision dhe të bënte ajo skualifikimin e radhës, ashtu siç edhe e përcakton ligji. Në mungesë të një reagimi nga opozita, komisioni është mbledhur sërish pasdite dhe ka vijuar të bëjë skualifikimin e radhës. Kësaj radhe ka skarcuar nga gara Zhaklina Petron, duke lënë në konkurrim tashmë vetëm 24 kandidatë. E njëjta praktikë do ndiqet nga ana e mazhorancës çdo ditë, duke skualifikuar nga dy kandidatë. Kjo deri sa ajo, pra shumica qeverisëse të përjashtojë nga gara atë numër kandidatësh që do mund të përjashtonte edhe nëse do të kishim një proces të rregullt dhe ku opozita do të luante rolin e vet. Pra është programuar që mazhoranca në total të skualifikojë 12 emra deri sa në garë të mbesin 3 emra sa janë dhe vakante që duhet të plotësohen, plus 11 emrat e tjerë, që sipas ligjit i takon opozitës t’i skualifikojë. Pra komisioni do të lërë në garë plot 14 emra dhe mes tyre do të përzgjedhë 2, që do t’i dërgohen seancës plenare për votim si të mbështetur nga mazhoranca. Ndërkohë që më pas opozita, kur të kthehet do duhet të skualifikojë 11 emrat e vet dhe emrin e fundit që do mbetet do t’ia çojë seancës për votim. “Në çdo rast komisioni mban parasysh ruajtjen e balancave: 3 kandidatë të përzgjedhur nga shumica dhe 3 të tjerë të përzgjedhur nga opozita. Ndër 3 vendet bosh që ne do të përzgjedhim në procedurat në vijim, dy vende do të jenë të mbështetur nga mazhoranca dhe tjetri i mbështetur nga opozita. Në këto kushte, në përfundim gjashtë anëtarët do të jenë, 3 të mbështetur nga mazhoranca dhe 3 nga opozita, e më pas do të vazhdohet me përzgjedhjen e kryetarit të AMA-s”, – u shpreh nënkryetari Alfred Peza. Në këtë mënyrë mazhoranca ka njohur situatën aktuale në AMA, duke përcaktuar dy nga anëtarët aktualë të saj si përfaqësues të opozitës dhe 1 si përfaqësues të mazhorancës (LSI). Ndaj nga 3 emrat e rinj që do zgjidhen në respektim të balancës, dy emra do jenë të mazhorancës dhe 1 do i lihet opozitës.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















