Në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes”, kushtuar dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, të martën në Prishtinë u mbajt Akademi Përkujtimore për Heroin e Kosovës, Sali Çekaj.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Social, Arban Abrashi, duke folur për figurën e Heroit Sali Çekaj dhe për Betejën e lavdishme të Koshares, theksoi se shembulli i Heroit Sali Çekaj është i gjallë dhe do të jetë i përjetshëm.
“Beteja e Koshares ishte kulminacioni i një jete të plotë, të ndërtuar mbi sakrificën për liri. Kudo që ishte, përgjatë gjithë jetës, përpjekjeve për liri dhe shtetformim, Sali Çekaj i fali çdo ditë të jetës së tij. Në Betejën e Koshares, Çekaj i dha Kosovës edhe jetën e tij”, tha ministri Abrashi.
Ai kujtoi se Sali Çekaj ishte vënë edhe në ballë të luftës politike të vendit, duke kundërshtuar ndryshimet Kushtetuese në Kosovë.
“Ishte momenti i kthesës së madhe të përfaqësuar nga Vizioni Rugovian, të cilin e mbështeti Heroi Çekaj. Në ndjekje të vizionit të tij të shtetformimit, të mishëruar më 2 Korrik 1990, me Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë dhe aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut, Sali Çekaj zbatoi këtë vizion, duke qenë hartues i Statutit të ri Komunës, në harmoni me Kushtetutën e Kaçanikut dhe Deklaratën e Pavarësisë. Sali Çekaj ishte njëkohësisht lider dhe pasues”, tha ministri Abrashi.
Historiani Frashër Demaj foli për biografinë e Sali Çekaj luftoi në vjën e parë të frontit, deri në momentin e fundit, kur gjeti pavdekësinë, më 19 prill 1999.
“Saliu u vra duke dhënë shembullin se si jetohet, punohet dhe flijohet për atdheun. Ai u shndërrua në ikonë të luftës për liri”, tha Demaj.
Komandanti i Brigadës “138 Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, fjalimin e tij e nisi me një citat të Heroit Sali Çekaj.
“Ne jemi komb i vogël, prandaj duhet të bashkohemi. Ne nuk kemi mundësi as nuk guxojmë të lejojmë të ndahemi”, e citoi ai Heroin Çekaj.
Berisha tha se Sali Çekaj më së miri e dëshmoi se si duhet të luftohet me laps, derisa ka edhe një hapësirë të vogël.
“E kur kjo hapësirë të shuhet, ai dëshmoi se si burri duhet t’i dalë zot edhe pushkës, deri në frymën e fundit”, tha Berisha.
Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë familjes, në përballimin e dhimbjes në secilin përvjetor, djali i Heroit, Hysen Çekaj.
“Ditë e dhimbshme, por e mbushur me krenari për më të dashurin tonë, i cili me angazhimin e tij shumëvjeçar, kontribuoi krahas dëshmorëve dhe veteranëve tjerë, në realizimin e një ëndrre shekullore të shqiptarëve, një Kosovë e lirë, shtet i pavarur”, tha Hysen Çekaj.















