Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka prezantuar sot në një dalje për media disa ndryshime në legjislacion që do të lehtësojnë aktivitetin e fermerëve.
Qeveria do të heqë burokracitë dhe do t’u lejojë fermerëve që të shesin me para në dorë deri në shumën 30 mijë lekë të reja.
“Deri në masën 30 mijë lekë të reja, transaksioni kryhet në dorë, pra në cash. Ky është një transaksion ditor prej 30 mijë lekësh të reja. Pagesat për shitjet nga 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë mund të kryhen përmes postës dhe kushdo që dëshiron edhe përmes bankës”, deklaroi Ahmetaj.
Ministri i Financave kërkoi nga Posta Shqiptare që të mundësojë shtrirjen e shërbimit në zonat rurale dhe në pikat e grumbullimit të prodhimeve të fermerëve.
Ahmetaj siguroi gjithashtu se do të ketë shërbim 24 orë për eksportuesit e produkteve të fermerëve.















