Gjykata Kushtetuese ka marrë sot në dorëzim kërkesën e Partisë Demokratike, e cila kërkon shpalljen të pavlefshme me Kushtetutën të disa ndryshimeve që kanë të bëjnë me ligjin “Për Gjykatën Administrative”. Projektligji është miratuar në Parlament, nga maxhoranca me 31 korrik të këtij viti. Ai i jep të drejtë qeverisë që të emërojë ndihmesat ligjorë të gjyqtarëve. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi, pretendon se ligji i ankimuar bie ndesh me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve.
“ Ne kërkojmë shpalljen si antikushtetuese të ligjit të paktës për drejtësi, e miratuar pa konsultimin tonë dhe aktorëve të tjerë, në verën e këtij vitit. Kërkojmë të shpallim antikushtetuese ligjin që i jep kompetenca qeverisë që të emërojë ndihmesat ligjorë të gjyqtarëve. Ky ligj ka vetëm një synim, kapjen politike të drejtësisë dhe shndërrimit të shtetit në një shtet policor dhe jo ligjor. Kryeministri merr në telefon gjyqtar dhe prokurorë, për t’i kërcënuar që të mbajnë në burg qytetarët e arrestuar”,-tha ish-ministri i Drejtësisë.
Sipas tij paketa ligjore e miratuar në korrik, lë zbuluar qytetarët shqiptarë, në mbrojtjen e barabartë përpara ligjit dhe Gjykata Administrative ka konflikt të hapur interesi me qeverinë. “Kemi kërkuar që Kryeministri të ndalet në kapjen arbitrare të sistemit gjyqësor. Një Kryeministër që kërcënon gjyqtarët që të mbajnë në burg qytetarët, duhet të futet në burg. Ka telefonuar edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për të votuar paketën ligjore. Hartimi i paketës së sistemit të drejtësisë nuk ka si synim përmirësimin e sistemit por kapjen e tij nga Kryeministri.
Ai do që të jetë gjyqtar, prokuror dhe të grumbullojë kompetenca në sistemin e drejtësisë. PD- po ndjek çdo hapësirë kushtetuese në vend. Ligjet për drejtësinë nuk gatuhen në zyrën e Kryeministrit. Reforma në drejtësi nuk duhet të bëhet nga njëra palë, por me gjithpërfshirje”-tha Eduard Halimi.















