Petrit Kuçana
Akoma nuk kishte përfunduar jehoha e takimit të kryeministrit Rama me drejtuesit e policisë, kur nga mediat britanike (dhe më pas nga ato shqiptare) u njoftua për një marrëveshje midis dy vendeve. Kaq shumë paradoksale duken këto dy lajme, saqë gjithkush mund të vërejë kontraditat e thekshme mes tyre. Nga njëra anë kryeministri nuk u la gjë pa thënë drejtuesve të policisë, dhe u dha një afat prej 100 ditësh “për tu normalizuar”, duke shpalosur vetëm majën e ajsbergut të asaj çfarë ndodh me rendin dhe sigurinë në Shqipëri.
A ka njeri që nuk kupton se çfarë ndodh në një vend, kur kryeministri thotë : “Mosveprimi i policisë vjen nga korruptimi dhe bashkëpunimi në krim”?
Gjithkush tronditet nga pafundësia e lajmeve të kronikës së zezë, ku çuditërisht vrasësit ikin në drejtim të paditur, edhe kur këto vrasje ndodhin në rrugët kryesore të qyteteve të Shqipërisë.
Kaq të shumta janë lajmet e kronikës së zezë, sidomos ato që të rikujtojnë deklarimet e ish-ministrit të Brendshëm Xhafaj, për ato grupet mafjoze nëpër Shqipëri, (që kurrë nuk dolën para drejtësisë), saqë thuajse janë kthyer në normalitet. Mbase për askënd nuk është aq e vështirë për të kuptuar se sa e çeliktë është lidhja mes policisë dhe grupeve kriminale.
Ndoshta nuk është e nevojshme fare që të kërkosh shifra dhe fakte të perceptimit, mbi besimin e publikut në polici, apo të përpiqesh të gjesh arsyet për krimet që nuk raportohen, e deri tek fenomeni i gjobvënies. A do të mjaftonin fjalët e kryeministrit Rama, për të kuptuar se në ç’derexhe është siguria dhe rendi në Shqipëri?
Paradoksalisht në këtë kohë u nënshkrua dhe kjo marrëveshje për riatdhesim dhe mbase do të dukej tejet e pavend pyetja më e thjeshtë, nëse vërtetë policia shqiptare mund tu sigurojë jetën të ri-atdhesuarve.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në këtë kohë (thua të pritej ai afati 100-ditor i shpallur nga Rama për të ribërë “policinë që duam” dhe që nuk e paskemi patur, siç jemi mësuar të dëgjojmë në këto vite?..), kur policia shqiptare në mënyrë spektakolare ka dështuar të sigurojë rendin dhe qetësinë në vend.
Eshtë e freskët në mbamendjen e shumë shqiptarëve një kronikë e një biznesmeni, që në një nga televizionet kryesore të vendit, guxoi të denonconte gjobvënien prej 100 000 paundësh, për arsye se i biri ishte larguar nga “shtëpia e barit”. Deri më sot nuk kemi degjuar për asnjë të arrestuar me këtë rast, por si zakonisht çështje të tilla harrohen shpejt, duke ua lënë vendin të tjerave të ngjashme.
Mësohet se janë rreth 1500 shqiptarë në vit që riatdhesohen nga Britania e Madhe. Deri më sot nuk ka asnjë institucion shtetëror që të ndihmojë në ri-integrimin e tyre. A mund të konsiderohen këta të riatdhesuar, mbi supet e të cilëve mbase rëndon barra e madhe e borxheve për të ardhur në Britani, pre e lehtë e grupeve të caktuara për t’i përfshirë në botën e krimit?
Thua e di këtë Ministri Çuçi?
Sa raste janë që dëshmojnë katërciprisht se shteti shqiptar ka dështuar në mbrojtjen e jetës edhe të personave që janë kthyer në Shqipëri?
A mund ta mohojë ministri Çuçi se fenomeni i gjakmarrjes vazhdon të jetë plagë për shoqërinë shqiptare, ndonëse i izoluar në zona të caktuara, dhe mbetet tejet shqetësuese paaftësia totale e shtetit shqiptar për të paramdaluar apo proceduar me çështje të tilla siç është edhe dhuna në familje, ku fatkeqësisht ka edhe shumë viktima?
Mbase shumëkujt do i kujtohet Griselda ajo vajza që u dogj me cigare që rendi komisariat pas komisariati, sepse askush nuk guxonte të procedonte dhunuesin e saj djalin e deputetit…
Ndoshta shteti shqiptar duhet të shikojë me prioritet një aspekt tjetër marreveshjesh me Britaninë e Madhe, tani pas BREXIT, siç është punësimi sezonal, që do të ishte një zgjidhje jashtëzakonisht e mirëpritur edhe për shumë të rinj shqiptarë.
Sakaq mbetet shumë kokëfortë pyetja “A mundet Shqipëria?!”