Nga Petrit Kuçana
Do të ishte retorike pyetja nëse Erion Veliaj ishte në Londër, madje nëse ishte tek ai që u quajt “bashkëbisedim” me shqiptarët e Britanisë. Për shumëkënd ishte e pabesueshme që kryebashkiaku gjendej në Londër, pikërisht kur në kryeqytet kishin plasur protestat e mëdha kundër ndërtimit në park. Megjithatë ishte i shumëpritur një takim me zotin Veliaj dhe natyrshëm edhe pyetjet ishin të shumta, pasi duhej pyetur Erioni si ish-banor i Londrës, si ish-kryemjaftist, Erioni si ish-ministër i Punës e Mirëqenies Sociale apo si kryebashkiak.
Vërtet duhet përshëndetur takimi i organizuar nga drejtuesit e Partisë Socialiste në Londër me z.Veliaj, pasi janë të pakta, për të mos thënë s’ka asnjë takim mes pushtetarëve dhe komunitetit. Më kot kujtojmë se kryeministri Rama nuk e ka marrë një herë të vetme mundimin për takime të tilla, dhe absolutisht asnjë ministër i vetëm…
Parashtrimi i diskutimit të zotit Veliaj ishte vërtet zhgënjyes, pasi shumëkujt i dukej vetja sikur ishte në ndonjë mbledhje partie, ku demagogjia ishte kryefjalë e gjithëkaje. Asgjë nga ato që pritej nuk u tha. Madje nuk u mor vesh qartë as qëllimi i vizitës së tij në Londër, ku duket se kishte një theks për dërgimin e një kostilacioni të Londrës në Tiranë. Kaq? Atë fundjavë në Londër ishte edhe kryeministri Rama dhe të gjithë kryeministrat e Ballkanit perëndimor si dhe disa ministra dhe deputetë.
Pyetjes se çfarë t’u themi britanikëve kur pyesin se çfarë po ndodh në Shqipëri, pasi shqiptarët janë të dytët pas sirianëve, Z Veliaj nuk iu përgjigj. U përpoq që të sajonte ndonjë përgjigje mes ngritjes së mureve nga ana e britanikëve, etj etj, por kurrsesi se çfarë po ndodh në Shqipëri, qoftë edhe kur ai ishte ministër?
Sërish u insistua nga të pranishmit se pse në Shqipëri ka “mungesë shprese” tek të rinjtë, e sërish demagogjia vazhdonte, pa mundur të thotë një fjalë, për gjendjen në Shqipëri, dhe fatkeqësisht në përpjekjen e tij për të gjetur një përgjigje, u përsërit prej tij ideja se “Shqiptarët janë dembelë”. I pakuptueshëm ishte nervozizmi që i shkaktonte një i pranishëm që regjistronte fjalimin e tij.
E njëjta situatë ishte edhe për pyetjen për parkun nga një studente që studionte për PHD, ku mbrojtja nga përbaltja e kundërshtarëve ishte detyrë mbi detyrat e z.Veliaj, ku nuk mundi të thoshte asgjë për lejen e ndërtimit, mos-transparencën e projektit…
Projektet për të ardhmen, përfshirjen e diasporës, pasjen e një projekti konkret për diasporën nuk u dëgjuan. Thjesht zoti Veliaj tha se e kishte një të punësuar që ishte shkolluar në Londër, dhe që ishte i hapur për ndonjë ide që mund të vinte.
Duhet theksuar se së paku z.Veliaj u tregua i sinqertë kur u pyet për ligjin e regjistrimit të emigrantëve dhe tha se nuk kishte informacion… mbi ligjin e miratuar.
Nuk ishte përgjigje e ish-kryemjaftistit… që përpiloi vetë projektin për votën e diasporës… sa gjera janë harruar…
Zhgënjyese?
Më shumë se kaq. Asnjë pyetje nuk u përgjigj, gjithçka u përfshi me demagogji. Asnjë fjalë për përfaqësimin e emigrantëve, parlamentin e kriminalizuar, anashkalim të temës se shteti shqiptar nuk e ka parë të arsyeshme të përfaqësohet me ambasador në Mbretërinë e Bashkuar.
Asnjë fjalë për aeroportin e Rinasit, ku z.Veliaj është kryebashkiaku i kryeqytetit me tarifat më të larta në Evropë dhe patjetër ai i dëgjohet fjala…e aq më pak, për mungesën e madhe të mbështetjes kur bëhet fjalë për një ngjarje të thjeshtë; ndalimin e makinave me krah anglez. Asnjë fjalë apo projekt qoftë edhe për biznesmenët shqiptarë që potencialisht mund të investojnë në kryeqytetin e tyre… (protestat nga Tirana për taksat e shtuara heqin çdo iluzion).
Janë të pakta shpresat se Erioni mund të hapë ndonjë bashkëbisedim online në facebook… ku mund t’u përgjigjet mijëra pyetjeve nga emigrantët dhe më gjerë.
Nuk dihet se pse i duhej ai takim kryebashkiakut, por thjesht ishte zhgënjyes, mbase edhe për vetë z.Veliaj, (për të pranishmit po se po) dhe duket se frazat e tij se do të përpiqem t’u ndihmoj, ishin kaq të pakuptimshme sa edhe “sygjerimi” për të kontaktuar PS-në e Londrës për ndonjë problem, duke kaluar institucionin e Ambasadës. Duhet mirëkuptuar pasi ishte nën tension për shkak të zhvillimeve në Tiranë?
Takimi mund të mos bëhej, pasi ishte krejt i kotë, nuk u arrit asgjë… E mbase askush nuk donte të dëgjonte demagogji…qoftë edhe socialistët në sallë që ndjeheshin keq shpeshherë, (qoftë ata socialistë apo rilindas)… e mbase “suksesi” ishte se një pjesë e tyre u “shpërblyen” me një foto me Erionin, e mund të thonë se Erioni është më i mirë se të tjerët, se të paktën e takon komunitetin…















