Tragjikomedia e politikës kosovare është një nga kryeveprat më të mira të (pa)shkruara kohët e fundit në tërë panteonin shqiptar të viteve të fundit. Kjo natyrisht nëse do të ishte një tragjikomedi e shkruar në të vërtetë për argëtim të publikut që pret të lexojë libra.
Madje, nëse vërtet do të ekzistonte kjo vepër mbase do ta kishim pasur shansin që “Nobelin” ta kishim mes nesh pa pritur që shkrimtari ynë më i nderuar të na nderojë me çmimin e shumëpritur.
Karakteret e kësaj tragjikomedie janë te gjithanshëm, por dhe arktipikë të karaktereve të përbotshëm letrarë. Asgjë s’është e re në këtë botë, thjesht aktorë të rinj me manovra të vjetra, me ego njerëzore të fryra e oreks të madh për pushtet, që dihet se duan më tepër prapanicën e tyre në karrige sesa të mirën e vendit, e që janë gati të çojnë gjithçka në rrënim për të ulur derrierën e tyre në karriget që dëshirojnë. Troja u rrënua për Helenën, s’është çudi që Kosova të rrënohet për Helenën gjithashtu “karrigen e mjaftdëshiruar për pushtet.” Shtetet lindin prej dëshirës së njerëzve e vdesin prej çmendurisë së tyre. Asgjë e re.
I vetmi ndryshim është se skenat e kësaj tragjikomedie janë reale i ngjajnë një “Reality Show” ku kamerat ndjekin të ecurat dhe çmendurinë e pjesëmarrësve, ku mediet komentojnë në çmendurinë e të çmendurve e ne analistët jemi po aq të tërhequr nga kjo çmenduri sa ju përngjajmë grave që me kafe a çaj ulen të ndjekin telenovelat e ditës me pyetjen “ç’ka u ba?” për të komentuar marrëzitë e radhës.
Groteske në pamje, e tillë që të ngjall neveri, e që shpesh të duhet të kujtosh veten, të hedhësh ujë syve se ajo që po ndjek nuk është “Reality Show”, por në fakt realiteti grotesk i paaftësisë politike. Jemi duke pritur kulmin e këtyre ngjarjeve që zvarriten skenë mbas skene. Mbasi po i afrohemi sidomos prej ngjarjeve më të fundit që meritojnë shënim.
Tani këto ditë, akti më i fundit i kësaj tragjikomedie është pasuruar me tre ngjarje të rëndësishme, tre pika që kanë çuar veshët e publikut, na kanë dhënë atyre diçka të re për të diskutuar:
E para, thirrjet e Haradinajt e Kurtit për protesta “çohu o popull dhe mbana ison në këtë marrëzinë tonë”. Budallait duhet t’i vesh mbrapa, kështu thotë fjala e urtë, por dhe duhet të kesh kujdes se të çonë në humnerë e ti vdes e ai shpëton. Kujdes popull!
E dyta, bomba e Jacobson-it që u tregoi politikanëve të mos e menderosin punën. E kuptojmë atë pasi ka folur atë që ne të gjithë e themi për politikanët tanë, madje e vlerësojmë se foli shqip dhe si duhej.
E treta, dhe më e rëndësishmja në këtë skenë është zgjimi dhe reagimi i Jahjagës, e cila si duket nuk do të përfshihet në këtë menderosje pune që lëshoi Jacobson dhe tani ka dalë me deklaratë zyrtare, si kryepolitikane e vendit duke dhënë “ultimatumin” se “ka ardhur koha që liderët e partive politike të ulen në një takim të përbashkët.”. Thua ky të jetë kulmi dhe fundi apo një nga fundet e mundshme?
Për pesë muaj tashmë si analistë kemi shkruar e derdhur bojë pothuajse përditë në shtypin vendor se Jahjaga mban çelësat për zgjidhjen e kësaj situate, se Zonja Presidente duhet të ndërhyjë.
Për pesë muaj kemi parë lëvizje të ngjashme me ato të një lideri pa drejtim, që më tepër ka qenë në prapaskenë apo dhe kur ka vepruar ka shkaktuar skandale të ndryshme qoftë në konsultën konstitucionale, qoftë në emërimin jokonstitucional të gjykatësve, qoftë në paaftësinë zgjidhës të problemit që shtrohet për zgjidhjen e kapsllëkut politik.
E tash pas pesë muajsh një zgjim një moment kthjelltësie hyn në mendjen e Jahjagës, se zgjidhja duhet të vije në uljen e të gjithëve në një tavolinë të përbashkët.
Është një Haleluja moment, një Amin moment për skenën e tragjikomedisë politikane kosovare. Por, një deklaratë nuk mjafton se fjalët i merr era dhe ato i shtohen erës qelbëse dhe kundërmuese të kapsllëkut politikan. Kërkohet veprim për të arritur në zgjidhje.
Mbase ky zgjim i Jahjagës do të jetë një zgjim që do të zgjasë, mbase u desh menderosja e Jacobson-it për ta zgjuar presidenten që ta veçojë veten nga menderosja e politikanëve të tjerë e do të na sjellë zgjidhje.
Çdo tragjikomedi e ka një fund, tensionet janë shtuar po rriten ngjarjet kanë rrjedhur duke shkuar drejt kulmit, shpresojmë që kulmi të vijë me rënien e perdes që do të jetë zgjidhja e ngërçit dhe jo një kulm ku çmenduria do të triumfojë me protesta apo zgjedhje të jashtëzakonshme.
Pasi, përndryshe politikanët vërtet do ta menderosin punën, me keq se ç’e kanë menderosur.
















