Djali i ish-kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha reagoi dje pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur me ngjarjen e rëndë ku mbetën të vrarë katër persona.
“Sapo dëgjova deklaratën e Edi Ramës në televizion. Nuk më zhgënjeu. Si gjithmonë asnjë ndjesë apo përgjegjësi politike për masakrimin e shëmtuar të 4 të rinjve, ndërsa ministri i tij luan me lodra nëpër emisione televizive. Doli për të na thënë se vendosi një standard politik, por nuk na tha çfarë e pengoi ta vendoste këtë standard kur djali i deputetes së tij vrau për herë të parë?”, – shkruan Berisha.
Pas tij reagoi socialisti Erjon Braçe. Nëpërmjet rrjetit social “Facebook” Braçe shkruan se: “Cila është shpifje? Masakra reale me 26 të vrarë në Gërdec? Telefonatat intensive para e pas masakrës? Implikimi i dokumentuar në letra qeverie me firma e vula? Prezenca e baxhanakut të ish-kryeministrit emri i të cilit u transformua për t’u fshehur? Takimet e fshehta skutave por me dëshmitarë?”.
Sipas Braçes, Berisha nuk u bë asnjëherë aq burrë sa të jepte dorëheqjen për shkeljet e të birit, ministrave apo zëvendësministrave.
Mesila Doda
“Masakra e mëngjesit të sotëm i kalon kufijtë e të frikshmes, është një masakër njerëzore e vulosur nga arroganca dhe mungesa e vlerave të shoqërisë sonë, veçanërisht e të përkëdhelurve të sistemit politik dhe drejtësisë që është krijuar përgjatë këtyre viteve. Ngjarja është simboli i dështimit të drejtësisë që arrin të shpërndajë padrejtësinë si karamele”.
Tritan Shehu
“Krimi i sotëm me 4 viktima është dëshmi e një gjendjeje shumë shqetësuese. Ky krim është dëshmi e ekzistencës së aktiviteteve e grupeve kriminale të armatosura në qendër të Tiranës. Gjithashtu lokale jashtë kontrollit, pa kufizime oraresh, qendra kriminaliteti e çrregullimesh. Nuk është aspak e vështirë t’i identifikosh e bllokosh këto”.
Genti Strazimiri
“Masakra tragjike me katër të vrarë e ndodhur në orët e para të ditës së sotme në një nga rrugët më të ruajtura të Tiranës, më shumë se sa autorët ka përgjegjës drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin e vendit. Sepse Kryeministri dhe banda e tij kanë krijuar të gjitha lehtësitë për autorin, djalin e deputetes Xhuvani, që të lëvizë i lirshëm me armë në brez, madje të krijojë edhe një bandë kriminale dhe ta ushtrojë aktivitetin me shantazhe, gjobëvënie e vrasje në mes të Tiranës”.















