Nga Skënder KAPITI
Privat do të thotë send dhe gjithçka pronësore me të cilën ke të drejtë dhe leje të bësh ç’të duash me të. Kështu është trajtuar shteti dhe e drejta e tij si dhe të drejtat e të tjerëve nga pushteti, politika dhe drejtësia shqiptare gjatë këtij tranzicioni duke tjetërsuar, shitur e privatizuar, grabitur e vjedhur, uzurpuar e ndërtuar pa leje (me ligj e pa ligj) dhe në mënyrë korruptive pasuri, prona, poste, detyra, diploma,vota e të drejta të çdo lloji, a thua se shteti nuk egzistonte apo ishte i paligjshëm sepse ishte kapur e privatizuar nga politika, pushteti dhe drejtësia, pra ishte bërë pronë e politikës, qeverisjes dhe gjyqësorit që e shqyen shtetin dhe e robtuan qytetarin.
Një mik i imi një ditë më tha: Skënder, nuk kam dëgjuar akoma një qytetar që të thotë se e kam fituar të drejtën në Shqipëri”. Sa i drejtë ky përfundim logjik i tij, që tregon realitetin shqiptar me këtë shprehje, në dukje e thjeshtë por që përmban gjithçka reale që e shpreh si opinioni i brendshëm, që thotë se në Shqipëri nuk kemi shtet, dhe shtet nuk ka kur 90% e qytetarëve shprehen se nuk besojnë te drejtësia, pasi e drejta e qytetarëve shitet e blihet te drejtësia. Pra, si ai që e fiton me të drejtë se i takon e drejta dhe si ai që e fiton një të drejtë që nuk i takon me padrejtësi, në të dy rastet ato blihen dhe fitohet nga ai që paguan ryshfet më shumë si dhe nga ai për të cilin urdhëron politika drejtësinë. Po ashtu dhe opinioni ndërkombëtar kur shprehet dhe konstaton se në Shqipëri nuk funksionon ligji, drejtësia dhe shoqëria, dhe se Shqipëria nuk ka plotësuar standartet moderne demokratike shtetformuese. Shtetet dhe çdo formë organizimi e qeverisje si mbretëri e perandori të fuqishme botërore kanë rënë vetëm atëherë, kur ka degraduar dhe shthurur dhe kur ka rënë drejtësia.
Në Shqipëri i tërë sistemi i drejtësisë në fakt ka rënë përderisa populli nuk beson te drejtësia. Formalisht në letra kemi Kushtetutë dhe ligje të mira, por realisht është shkelur dhe dhunuar rëndë ligji i përjetshëm i Kushtetutës, që është ai se ligjet së pari duhet t’i zbatojnë ata që i formulojnë, dhe që janë deputetët që zgjedh populli, prej të cilëve buron qeverisja dhe administrata, pra qeverisja e shtetit. Kur nuk funksionon shteti i së drejtës ose shteti ligjor do të thotë se kemi shtet jo ligjor, pra si një shtet pa leje, pasi leje do të thotë ajo çfarë me ligj lejohet, ose kemi realisht një shtet privat të pushtetit, pasi pushteti dhe politika e drejtësia nuk njohin dhe nuk e zbatojnë ligjin për vete dhe ja kërkojnë zbatimin e tij të tjerëve, po dhe këtë vetëm e vetëm deri aty sa që t’i shërbejë po pushtetit dhe korrupsionit të tij, dhe kur pushteti e politika shohin vetëm interesin e vet, atëhere nuk i bëhet vonë pse dhe shoqëria nuk funksionon dhe pse prishet ajo nga korrupsioni dhe paligjshmëria; pushteti, qeverisja dhe drejtësia nuk shqetësohet dhe pse uzurpohen dhe tjetërsohen e grabiten pasuri e prona të të tjerëve nga të tjerët, pasi në këtë zallamahi të shkaktuar prej tyre vetë ato, pra politika, pushteti dhe drejtësia janë zullumqarët dhe grabitqarët më të mëdhenj. Atyre nuk ju intereson edhe pse trafikohen qënie njerëzore, kultivohet e trafikohet lëndë narkotike, edhe pse shkatërrohen vlerat dhe trashëgimia, pse shkatërrohet toka, mjedisi, ujrat, pyjet etj. dhe pse betonizohet bregdeti, shkatërrohet urbanizimi me ndërtime pa leje etj. Atyre nuk ju intereson dhe pse rriten çmimet, varfëria dhe papunësia sepse ata nuk vuajnë prej pasojave të tyre, pasi vetë ato përfitojmë më shumë akoma prej tyre me manipulimin, spekullimin dhe kontrabandimin me to. Pra shtet pa leje do të thotë se nuk funksionon ligji i barabartë dhe njësoj për të gjithë, do të thotë se lejohet që pushteti, politika dhe drejtësia të bëjnë të paligjshmen dhe çfarë nuk lejohet, të bëjnë vetëgjyqësinë, papërgjegjshmërinë, tradhëtinë dhe korrupsionin, dhe të mos ndëshkohen sepse shteti nuk ka “leje”, në kuptimin e asaj që nuk ka as fuqi dhe as të drejtë për t’i kontrolluar e ndëshkuar ata, pasi vetë shteti është privatizuar dhe kapur prej tyre dhe ata bëjnë ç’të duan me të drejtat e qytetarëve dhe me të drejtën e shtetit.
Politika e politikanëve dhe interesi i pushteteve në Shqipëri e nxorën gjatë këtij tranzicioni në ankand ligjin ,të drejtën, moralin, pasuritë, trashëgiminë dhe dinjitetin, imazhin , perspektivën e prosperitetin e shtetit dhe të kombit tonë. Përfaqësuesit dhe institucionet më prestigjioze europiane konstatojnë dhe rekomandojnë vazhdimisht me të drejtë që: luftoni korrupsionin, ndëshkoni pushtetarët, gjyqtarët e korruptuar dhe krimin e organizuar, zbatoni ligjet dhe ndërtoni shtetin ligjor dhe reformoni e krijoni shtetin modern sipas standarteve demokratike, vetëm pra që nuk na thonë se shteti ynë egzistoka si një shtet formal, përderisa edhe pa rekomandimet e BE kryesisht, opinioni i brendshëm e di se shteti ynë realisht egziston formalisht pasi ka shumë e shumë qytetarë në Shqipëri që mezi përballojnë minimumin jetik për ushqim, strehim e për të drejta e nevoja të tjera jetike.
Të gjithë e dinë se në shtetin tonë nuk është e sigurtë jeta, liria, prona, personaliteti dhe dinjiteti i qytetarit po as edhe i shtetit madje, dhe gjithçka e”mirë” egziston vetëm e shkruar në letër si ligj dhe thuhet në deklarata dhe asgjë për mirë nuk punohet sepse shteti shqiptar vepron si një shtet privat, për interesa të pushtetit e pushtetarëve dhe jo si një shtet ligjor e publik, aq sa edhe për çdo shërbim duhet ryshfet, madje edhe për një mundësi takimi e komunikimi me pushtetarët e qeveritarët, ministër e funksionarë të lartë shteti apo dhe me deputetë “potentë” që ju shkon fjala lart në qeveri duhet ndërmjetësimi i sekserëve, dhe deri edhe në marrjen e ndonjë përgjigje të qytetarit nga institucionet qoftë si të dëshirueshme po dhe të padëshirueshme për të prej institucioneve dhe vulëmbajtësve të tyre duhet paguar ryshfet, dhe merre me mend pastaj se çfarë heq e duhet të paguajë qytetari për të fituar një të drejtë nëpër zyrat e shtetit dhe sidomos në agjensitë private të shitblerjeve të të drejtave, që janë gjykatat. Ky është realiteti dhe trashëgimia që po na lë tranzicioni politik, dhe është politika autore kryesore e katandisjes në këtë farë gjendjeje të shtetit dhe të shoqërisë, që me premtime dhe gënjeshtra, manipulime e matrapazllëqe të paturpshme, me spekullime, krime e tradhëtira të pandëshkueshme, me pisllëqe, vjedhje dhe me korrupsionin e vet e ka prishur, korruptuar, dhe degraduar patriotizmin, moralin, të vërtetën, ndershmërinë, ligjin dhe drejtësinë.
Politika, qeverisjet dhe drejtësia shqiptare janë ato që i kanë dhënë shtetit tonë fizionominë e një prone private në pronësi të tyre “pa leje” të sovranit popull por me leje të tradhtisë dhe të korrupsionit politik, qeverisës dhe të drejtësisë. Vetëm shqiptarëve u përket apriori e drejta e shtetit, por që këtë të drejtë ja ka rrëmbyer politika e pushteti, të cilët edhe këta duhet të jenë shërbëtorë të popullit dhe jo pronarë të shtetit dhe të shoqërisë duke i përdorur ato si prona dhe mjete të tyre.
















