Arben Manaj
Makineria serbe e propagandës apo marrëdhënieve me publikun nuk mund të akuzohet se nuk është prolifike dhe imagjinative. Tani ata kanë dalë me një ide brilante për nga malinjiteti i tyre, sa ç’ishte imagjinativ, droni shqiptar.
Serbët po kërkojnë që ndeshja e kthimit të mos luhet në Shkodër tashmë, por në një fushë neutrale. Shkaku ose preteksti, prania e ISIS në Ballkan dhe në Shqipëri!
Për veshët dhe sytë e europianëve naivë apo edhe ndonjë medie ndërkombëtare jo aq serioze, kjo ide edhe mund të ngjisë dhe amplifikohet, aq sa irriton ata që janë më të sofistikuar.
Por tashmë po luhet futboll politik e diplomatik dhe jo më futboll me top. Dhe po të nisesh nga “leshtësia” dhe vendimmarrja e fundit e UEFA-s, ky argumentim mund të ngjisë në burokracinë e tyre.
Këtu nuk duhet sërish vonesë nga Shqipëria, por kundërpërgjigje me të gjitha bateritë, pasi rrezikojmë jo vetëm të humbasim luajtjen e ndeshjes në Shqipëri, por mbi të gjitha damkosjen e Shqipërisë si një vend mysliman apo si Shteti Islamik, ku njerëzit ekzekutohen si pengjet nga xhihadistët në Siri a Irak!
Shqipëria do të duhet ta bëjë këtë, siç përgënjeshtroi edhe frikën se edhe Papa mund të ishte objektiv i ndonjë sulmi nga ISIS, gjë që nuk ndodhi, por u pa e kundërta, që ishin shumica myslimane shqiptare që bashkë me vëllezërit e krishterë, mirëpritën Papën si ai të kishte shkuar në vendet më katolike të botës, si Spanjë, Filipine a Brazil, pa as incidentin më të vogël.
Unë do të doja që serbët të vinin të luanin në Shkodër, jo për t’u trajtuar me të njëjtën mënyrë siç trajtuan ata kombëtaren shqiptare, siç rrahën ata lojtarët tanë me tifozë e roja të sigurisë,steward-ët nëpër tunelin e dhomave të zhveshjes apo për t’i kontrolluar edhe nëpër aeroport, me të njëjtat masa, sikur të vinin me virusin Ebola nga Sierra Leone.
Edhe pse kjo gjë do të dukej normale për standardin e gjykimit të aplikuar nga UEFA, po të nisemi nga vendimi qesharak dhe i dyshimtë që morën, madje të na jepnin edhe trepikëshin në tavolinë!
Jo! Unë do të doja që serbët të vinin në ndeshjen e kthimit në Shqipëri, dhe këtu shteti shqiptar dhe federata do të duhet të këmbëngulë për një arsye tjetër, përveç asaj të hedhjes poshtë të ndotjes sërish të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve si xhihadistë dhe si Shtet Islamik.
Do të doja të luanin në Shkodër që serbët të mësonin një leksion qytetarie europiane, jo përmes gëlltitjes së të njëjtit ilaç dhe hidhësisë së tij, por për të shijuar ëmbëlsinë e ilaçit kurues shqiptar.
Do të doja që të vinin në Shkodër, ku shqiptarët t’i prisnin me një siguri normale vizuale ekipin dhe delegacionin serb.
Do të doja që shqiptarët të heshtnin e ku vetëm miza të dëgjohej kur të luhej himni serb në stadium dhe të ndizej flakë nga gurmazi kur të këndohej himni shqiptar.
Do të doja që lojtarët serbë, si kapiteni Ivanoviç dhe Kolarov, të duartrokiteshin për gjestet e tyre sportive dhe kulturën e treguar në fushën e Beogradit dhe në dhomat e zhveshjes së ekipit tonë (duket që ata luajnë në Angli).
Do të doja që shqiptarët të mos hidhnin asnjë gurë a shishe, karrige apo shashkë në stadium, kur serbët të gjuanin nga goditjet e këndit.
Do të doja që edhe t’i duartrokisnim, nëse na bënin gol, se futboll është në fund të fundit, siç bëhet në stadiumet dhe tifozeritë e civilizuara dhe të kulturuara.
Do të doja që gazetarët serbë dhe tifozeria serbe të ishin më të sigurt se në Beograd, e të iknin si njerëz nga Shqipëria.
Do të doja të silleshim kështu që në fund të fundit t’u vinte turp, kolektivisht me atë që bënë 30 mijë “xhihadistët” e Beogradit në stadiumin e tyre më 14 tetor.
Kaq, mund dhe duhet të na e sigurojnë me lobim institucionet shqiptare!
















