| Ish-deputetja e PS-së Rudina Seseri ka hedhur poshtë aludimet se mund të jetë ajo kandidatja për Guvernator të Bankës së Shqipërisë e propozuar nga kryeministri Edi Rama.
Seseri ka deklaruar se aludimet për një angazhim të mundshëm të saj në BSH janë të pavërteta dhe se ajo nuk ka interes për postin e Guvernatorit të bankës. “Aludimet se mund te angazhohem me BSH,janë të pavërteta. Nuk kam shprehur kurrë interes për rolin e guvernatorit. Përgjegjësitë e mia profesionale në SHBA janë afatgjata dhe gjithëpërfshirëse. Do ta mbështes dhe dua vendin tim të lindjes, por këtë do ta bëj nga larg”, është shprehur Seseri. Një ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se në krye të Bankës së Shqipërisë mund të jetë një femër që aktualisht punon në sistemin financiar ndërkombëtar. Në një intervistë televizive Rama u shpreh se komisioni përzgjedhës, i përcaktuar prej tij për t’i këshilluar qeverisë kandidaturën për Guvernator, ka bërë përzgjedhjen e vet dhe është një grua shqiptare që ka sipas Ramës, ka karrierë mbresëlënëse në sistemin financiar ndërkombëtar. Edhe pse kryeministri nuk e përmendi me emër, ky profil dukej se përshtatej plotësisht ish-deputetes se PS-së Rudina Seseri, e cila punon në një institucion financiar privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. |















