Po bëhet gati një javë që serbia ka ndërprerë pa asnjë njoftim paraprak importin e zarzavateve nga Shqipëria. Një ditë pas ndeshjes së ndërprerë në Beograd dhe valës nacionaliste që shpërtheu më pas, fermerët e Lushnjes nuk kanë mundur të dërgojnë prodhimet e tyre atje. Sipas Abc Neës, mbi 2 mijë ton domate kanë mbetur të bllokuara në Këmishtaj duke shkaktuar një humbje të madhe financiare për prodhuesit vendorë. Të gjendur përpara këtij bllokimi të papritur, fermerët shqiptarë nuk dinë nëse autoritetet shqiptare do të ndërhyjnë për t’i dhënë një zgjidhje situatës.
Serbia është shteti kryesor ku prodhuesit në Lushnje dërgojnë apo tranzitojnë prodhimet e tyre. Moti i ngrohtë ka bërë që prodhimi të jetë i lartë, por tashmë ai u ka mbetur nëpër serra fshatarëve lushnjarë. Me Serbinë tregtarët nga Lushnja prej një dekade bëjnë shkëmbime tregtare, jo vetëm në perime por edhe në drithëra. Brenda një viti Lushnja eksporton 30 mijë tonë perime kryesisht në Ballkan.
Tensioni mes dy vendeve ka dhënë efektet e tij që po ndikojnë menjëherë negativisht në ekonomi. Po sot, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, u bëri thirrje të gjithë konsumatorëve t’i bojkotojnë prodhimet e Serbisë.
















