Zv/kryeministri, Niko Peleshi, mori pjesë sot në samitin e organizuar në Bukuresht nga The Economist, BE – Europa Juglindore me temë: Në rrugën drejt stabilitetit dhe rritjes. Duke iu referuar rëndësisë së bashkëpunimit rajonal dhe incidentit të para pak ditëve Peleshi u shpreh se incidenti i ndodhur në Beograd, në ndeshjen midis Serbisë dhe Shqipërisë, zgjoi fantazmat e së shkuarës, por sipas tij duhet dialogu për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve. “Kjo ngjarje mes Shqipërisë dhe Serbisë që pasoi një ndeshje futbolli, u tregoi të gjithëve sesa të brishta janë arritjet tona dhe sesa e lehtë është që të rizgjohen fantazmat e shëmtuara të së shkuarës. Fakti që një ndeshje e thjeshtë futbolli mund të ketë reperkusione të tilla në marrëdhëniet mes vendeve tona është padyshim zhgënjyes dhe bën që të bien këmbana alarmi për të gjithë ne. Por pikërisht kjo brishtësi është në arsye më tepër për të rivendosur dialogun, për të nxitur bashkëpunimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, u shpreh zv/kryeministri. Ai u ndal më tej edhe tek problematikat që kanë karakterizuar bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit gjatë këtyre viteve, por theksoi edhe shpresën e tij se qeveritë e rajonit tani kanë filluar të mendojnë në terma të potencialit rajonal, të projekteve të tyre të zhvillimit dhe për mënyrat sesi bashkëpunimi mund të çojë në një përdorim më efikas të burimeve. “Një zhvillim shumë pozitiv në këtë drejtim është ngritja e Sekretariateve Teknike për Koordinimin e Projekteve mes vendeve tona. Aktualisht ne po punojmë me qeverinë e Maqedonisë për të ngritur një sekretariat të tillë dhe besojmë se ky model mund të replikohet pastaj në mbarë rajonin”, tha ai. Në mbyllje të fjalës së tij, Peleshi tha se Ballkani Perëndimor sot po hyn në një faze të re bashkëpunimi e zhvillimi. “Ballkani Perëndimor sot ka nje mundësi për t’u transformuar në një rajon që prodhon bashkëpunim e konsumon zhvillim e rritje ekonomike. Nuk ka për të qenë e lehtë, për këte nuk ka asnjë dyshim. Por të gjithë në kemi një shans historik, e mbi të gjitha një detyrim historik, që të bëjmë më të mirën për ta kthyer këtë mundësi në realitet”, tha ai në fund.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















