Sot shënohet 11-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës, simboli i përkushtimit ndaj të varfërve dhe të dashurisë për Zotin. Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Gonxhe Bojaxhiut në Vatikan, e cila nuk është vetëm festë liturgjike kishtare, por Festa Kombëtare e Saj. Kjo ditë, me të drejtë, u shpall edhe festa e të gjithë shqiptarëve, por në të gjitha vendet kujtohet si një prej personazheve më të famshëm në botë, si murgesha që ndihmoi të varfërit e Indisë.
Nënë Tereza ka lindur në Shkup me 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeç u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Në vitin 1931, Nënë Tereza shkoi në Kalkutë, ku punoi dhe mësoi për 17 vitet e ardhshme. Nënë Tereza u largua nga manastiri dhe filloi të ndihmonte të varfrit në rrugët e Kalkutës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare.
Ajo kishte vështirësi për të folur rrjedhshëm gjuhën shqipe, pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por kurrë nuk mohoi origjinën e saj shqiptare. Shkrimet e saj në gjuhën shqipe, janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen, përshëndetje në shqip të popullit shqiptar, pas fitimit të çmimit Nobel më 1979-n dhe lutja në shqip, e transmetuar nga “Zëri i Amerikës” më 17 qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga vinte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, në gusht të viti 1989 Agnesa Gonxhe Bojaxhiu ose Nënë Tereza, do të realizonte deshirën e madhe, sikurse është shprehur para largimit: “Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim”. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shume krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë”.
Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 mijë viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë. Nënë Tereza vdiq më 12 shtator të vitit 1997 dhe prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të bamirësisë në Kalkuta të Indisë.

















