Linja e Tesionit të Lartë 110 kv, Ersekë-Përmet, financim i bankës KfW, u inaugurua nga Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri. Kjo linjë pritet të fuqizojë furnizmin me energji të zonës së Jugut, duke rritur edhe cilësinë e shërbimit. Ministri Gjiknuri u shoqërua nga zv.ambasadorja e Republikës Federale Gjermane në Tiranë Znj. Anke Holstein, përfaqësuesi i bankës gjermane KfW Z. Christoph Tiskens dhe administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Engjell Zeqo. Ministri Gjiknuri tha se me fiancimet e BB dhe KfW-së, qeveria do të kthejë prioritare investimet në sektorin e energjisë, duke e kthyer në një sektor fitimprurës, likuid dhe motor të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Ky nuk është projekti i vetëm, mbështet shumë zona që kanë zhvillim turistik dhe që në prespektivën e ardhshme do të ketë investime në turizëm, do të pasohet me një investim tjetër shumë të rëndësishëm në stacionet e Orikumit dhe Himarës, gjë që do të përfundojë infrastrukturën energjitike për gjithë zonën e bregut. Gjithashtu, në vitet në vijim qeveria shqiptare i ka vënë qëllim vetes që sektori i energjisë të marr investime të mëdha, pasi kemi vënë re që ka qenë një sektor i neglizhuar, shpesh herë me dështime, qoftë me privatizim të dështuar, qoftë për probleme themelore për sa i përket pagesave dhe likuiditetit në këtë sektor, gjë që ka sjellë një situatë jo të mirë të trashëguar. Megjithatë jemi duke e qasur problemin siç duhet “, tha Damian Gjiknuri, Ministër i Energjtikës
Administratori i OST-së Engjell Zeqo sqaroi se linja Ersekë-Përmet, ashtu sikurse investimet e tjera në Unazën e Jugut do të mund të ndikojnë në reduktimin e humbjeve në rrjet.
“Kjo linjë gjithashtu do të ketë impakt të rëndësishëm në reduktimin e humbjeve, që ka të bëjë me fizibilitetin e këtij projekti, pasi deri në zonën e Përmetit, kemi të bëjmë me një linjë shumë të gjatë të amortizuar, 110, si nga pjesa e Memaliaj dhe nga pjesa e Gjirokastrës. Ka një impakt të rëndësishëm dhe në rritjen e rezervës së furnizimit, të sigurisë, pasi prej 20 vjetësh është një nga projektet që është përfolur shumë dhe është kërkuar shumë nga Sistemi i Transmetimit, por është bërë realitet”, tha Ëngjëll Zeqo, Drejtor i OST.
Segmenti Ersekë-Përmet i cili tanimë ka përfunduar në kohë rekord dhe vendosur në funksion ka një gjatësi prej 55.7 kilometër.














