Liderët e partive politike thuajse në çdo prononcim të tyre po shprehen se janë pro zgjidhjes së ngërçit politik, ndonëse edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk është se janë duke i anashkaluar. Përfaqësues të partive politike thonë se janë për zgjidhje të ngërçit politik, para se të vihet opsioni i zgjedhjeve.
Mirëpo, derisa anëtarët e bllokut LAN, thonë se duan zgjidhje dhe se e kanë zgjidhjen, përfaqësuesit e PDK-së dhe Vetëvendosjes, thonë se nuk ka nevojë për zgjedhje, por janë edhe për këtë opsion.
Kurse, analistët në vend shprehen se para se të vihet në tavolinë opsioni i zgjedhjeve, duhet të ulen liderët e partive politike dhe t’i negociojnë qëndrimet fillestare dhe të lëshojnë pe secili bllok, në mënyrë që mos të shkohet në zgjedhje, meqë do të ngjallnin shumë tensione mes dy blloqeve.
Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci thotë për KosovaPress se janë të gatshëm për zgjidhjen e këtij ngërçi, ndonëse nuk iu frikësohen zgjedhjeve dhe votës së qytetarëve.
Grabovci thekson se edhe zgjedhjet e qershorit u mbajtën me insistimin e opozitës edhe pse PDK kishte tërhequr vërejtjen se nuk është momenti për zgjedhje.
“Absolutisht ne jemi të gatshëm të bëjmë zgjidhjen e problemit. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se qytetarët e Kosovës nuk na kanë dhwnw besimin për ta vështirësuar jetën e qytetarëve. Iu kemi premtuar qytetarëve se do të kemi rezultate edhe më të mëdha gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës se sa në mandatin e kaluar dhe jam thellësisht i bindur se kjo do të ndodh. Prandaj, ne jemi për të zgjidhur problemin për të zhbllokuar jetën institucionale, për t’i ofruar qytetarit të Kosovës institucione të reja që nënkupton ofrimin e shërbimeve karshi qytetarëve të Kosovës”, thotë Grabovci.
Grabovci thekson se janë të vetëdijshëm se nuk kanë shumë alternativa, por janë vetëm dy, ose marrëveshje me PDK-në, ashtu siç e ka përcaktuar vullneti i qytetarëve të Kosovës ose respektimi i rregullores, ligjeve, por së fundi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Bllokut shprehen se liderët e partive që përbëjnë këtë bllok janë për zgjidhje, e jo për zgjedhje.
Avni Arifi, këshilltar i Kryetarit të AAK-së, njëherit i mandatari i LAN-it për kryeministër Ramush Haradiajt, thotë për KosovaPress, se ata janë për zgjidhje, e jo për zgjedhje, duke qenë se ekziston një shumicë parlamentare që mund ta zgjidh këtë ngërç politik.
“Po së pari duhet të precizohen disa gjëra, partitë e koalicionit që përfaqësojnë shumicën parlamentare e kanë zgjidhjen, ekziston vullneti i deputetëve. Ne kemi një situatë ku partia e cila ka dal e para në zgjedhje, por që nuk mund të ketë shumicën, po e shfrytëzon një të drejt që ka dal nga Gjykata Kushtetuese dhe po i pengon krijimin e institucioneve. Çka i mbetet shumicës parlamentare është që të vazhdojnë të insistojnë në të drejtën e tyre”, thotë Arifi.
Ndonëse i quajnë si të panevojshme zgjedhjet e jashtëzakonshme, përfaqësuesit e Vetëvendosjes thonë se edhe po të mbahen pas një muaji janë të gatshëm dhe nuk e kanë problem.
Sekretari organizativ i Vetëvendosjes Dardan Molliqaj, thotë për KosovaPress se nuk ka nevojë për zgjedhje, dhe se ata janë për zgjidhje pasi e kanë shumicën parlamentare.
Madje, Molliqaj thotë se në këtë vend duhet të formohen institucionet mbi parimin e shumicës dhe sa më shpejt që e kupton PDK-ja që nuk është shumicë, rrjedhimisht nuk mund t’i formoj institucionet, aq më shpejt do të ndodh ky ndryshim.
Ose varianti i dytë, sipas Molliqajt është që nëse PDK nuk reflekton, që ai nuk beson se do të reflektoj, atëherë shumica duhet t’i formoj institucionet.
“Ne nuk i kemi problem zgjedhjet, por mendojmë që është e panevojshme sepse në zgjedhje shkohet ose kur përfundohet mandati, ose kur nuk ka shumicë parlamentare. Mandati jo që nuk ka përfunduar, por as nuk ka filluar, ndërsa shumicë parlamentare kemi. Por nëse PDK nuk lëshon pe dhe të tjerët nuk tregohen të gatshëm me ia marr pushtetin sepse pushtetin na e kanë dhënë qytetarët sepse kemi shumicën e votave si marrëveshje, atëherë mund të shkojmë edhe në zgjedhje”, tha Molliqaj.
Kurse, analistët thonë se liderët po mendojnë me shumë për pushtet se sa për zgjidhje të ngërçit, që ende ka mundësi të gjendet një zgjidhje, pa e sjell në tavolinë opsionin e zgjedhjeve.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se zgjedhjet do të sillnin tensione mes dy blloqeve të krijuara.
“Mendoj që pa përjashtim të gjithë liderët janë të interesuar për pushtet dhe ata po shikojnë çdo mundësi që në mënyrë sa me të lehtë t’i ofrohen pushtetit dhe shumë pak po merren se si të gjendet zgjidhja qoftë edhe konsensuale për ta kaluar ngërçin politik. Por në parim unë mendoj që asnjëra parti politike në Kosovë nuk është e interesuar për zgjedhje nëse është e mundur bërja e një konsensusi sa i takon konstituivit të Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë”, thotë Korenica.
“Mendoj se deri në momentin aktual asnjëri bllok nuk ka shprehur gatishmëri që të heq dorë as edhe një sekondë prej pozicioneve fillestare, por mendoj që nëse zgjedhjet shtrohen në tavolinë si zgjidhje, edhe Blloku edhe PDK-ja do të lëshonin pe nga qëndrimet fillestare”, thoi ai.















