Komisioni parlamentar i Medias është mbledhur sot për nisjen e procedurave për zëvendësimin e kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Endira Bushati.
Pas zgjedhjes të enjten nga Kuvendi të dy anëtarëve të rinj të këtij institucioni, të propozuar nga maxhoranca, Gledis Gjipali dhe Pirro Misha, tashmë i është hapur rruga çeljes së procedurave për emërimin e drejtuesit të ri të AMA-s.
Para disa muajsh, në prani dhe të opozitës, komisioni i Medias nisi procedurat për zgjidhjen e ngërçit institucional në AMA dhe RTSH.
Pas depozitimit të kandidaturave për vendet vakante në këto institucione komisioni bëri përzgjedhjen e tyre dhe zhvilloi dëgjesa me të gjithë konkurentët për vendet bosh në bordet e AMA-s dhe Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Në mbledhjen e Komisionit të Medias, zhvilluar pa praninë e opozitës, deputetët e mazhorancës përmes një letre të hapur i bënë sërish apel kolegëve demokratë që të bëhen pjesë e këtij procesi. Deputetja Mimoza Hafizi kërkoi që ti dërgohet sërisht letër opozitës për ta ftuar të bëhet pjesë e mbledhjeve të komisionit. Ajo kërkoi që opozita të rikthehet për zgjedhjen e kreut të AMA.
“Opozita do të ketë mbështetjen tonë”, theksoi Hafizi.
Por, procedurat nuk vijuan më tej për shkak të vendimit politik të opozitës për të bojkotuar punimet e parlamentit, situatë që vazhdoi dhe me fillimin e sesionit të ri parlamentar në shtator. Në këto kushte maxhoranca u detyrua të nisë e vetme procedurat për zgjidhjen e ngërçit institucional të krijuar në AMA, me zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj, pak ditë më parë.
Për pozicionin e Kryetarit të AMA -s janë në garë 8 kandidatë nga fushat e medias, drejtësisë dhe ekonomisë.
Kandidatët për kreun e AMA-s
Gentian Sala – jurist
Gentian Skënderaj – ekonomist
Anila Basha – gazetare
Zylyftar Bregu – gazetar
Raif Gorana – ekonomist
En Muci – ekonomi-biznes
Bers Hodo – jurist
Sokol Hasani – jurist
















