Ëndrra ime e dashurisë, është zhdukur përgjithnjë. Ai moment fluturoi dhe unë do vdes në dëshpërim. E kurrë më parë nuk e desha jetën kaq shumë, kaq shumë”. “E lucevan le stelle”, akti i tretë, “Toska”. Ndërkohë që Agim Hushi ka veshur lëkurën e Mario Cavaradossit, një ushtri makinash tërbojnë me ulërimat e borive, ndërsa Metropoli zhytet në të zezën e natës.
Pothuaj 10 vite më parë, tenori me karrierë ndërkombëtare, kandidoi për deputet në qytetin e tij të lindjes, në Kavajë. Atëkohë, pat vendosur të linte artin në skenat e mëdha të operave për t’u angazhuar politikisht, në ndihmë të bashkëqytetarëve. Ky pozicionim i ka kushtuar Agim Hushit shtatë vite mungesë në skenën e TKOB. Në një intervistë për “GSH”, ai flet për përballjen prej xhentëlmenësh në fushatën e 2005-ës, dhe ato që i sheh si pasojat e ndikimit të politikës në TKOB. Veçse, mbetet e paqartë, nëse e njëjta skenë sot, vuan ende nga të tilla sëmundje, që i zënë frymën herë një pale e herë një tjetre, ashtu sikundër herë i japin krahë një pale e herë një tjetre. Tenori, rrëfen daljen e parë në skenën e TKOB më 1991, emërimin solist pasi talenti i tij u zbulua kur ishte mësues fshati, e mandej një homazh për kohët e lëna pas.
Më 15, 17 dhe 19 tetor 2014, ora 19.00, në skenën e TKOB ngjitet “Tosca” e Giacomo Puçinit. Sinopsi, me pak fjalë, tregon një dashuri, në Romën e qershorit të 1800-ës, prej së cilës dikush vritet e dikush vetëvritet, disa shekuj më parë. Pos Hushit, në të interpretojnë: Eva Golemi, Irini Nikolla, Shpresa Beka, Ylber Gjini, Ogert Islami, Sidrit Bejleri, Gilmond Miftari dhe Ogert Islami. Me regji të Nikolin Gurakuqit, dirigjent është Edmond Doko, ndërsa dirigjent Kori është Dritan Lumshi.
Rikthehesh në Opera pas 7 vitesh. Pse kaq shumë mungesë?
Kjo është një histori më vete, që del disi jashtë bisedës sonë rreth artit. Gjithsesi, për të qenë realist, këtu në Shqipëri dhe në TKOB është e vështirë ta shkëpusësh artin nga situatat që nuk duhet të ndikojnë në të, por që për fat të keq janë të prekshme në jetën e artistëve siç janë ndryshimet politike apo streset sociale. Nuk do të doja ta pohoja, por është e vërtetë që pas një obligimi qytetar që pata dhe pas një orvatjeje të suksesshme, dhe pse unë ashtu siç hyra dola me qytetari, në Opera më panë ndryshe.
Në vitin 2005 u përpoqa t’i dilja zot qytetit tim, halleve të Kavajës, dhe kandidova për deputet. Ndonëse kisha Sali Berishën përballë, unë atë vazhdoj ta konsideroj e ta respektoj, si një udhëheqës të një force të madhe politike, ish-president e ish-kryeministër. Jam në raporte xhentëlmeni me të, siç kam qenë para se t’i hyja politikës, por për fat të keq, pas fitores së Berishës, ata që donin ta ndihmonin me servilizmin e tyre, menduan që të më eliminonin nga skena, si ish-rival i tij.

















