Nazim RASHIDI
Sfida e shoqërisë tonë me Bashkimin Evropian dhe integrimet me sa duket do të vazhdojë edhe gjatë, një lloj si me serialet bajate dhe patetike turke, të cilat në vazhdimësi kanë vuajtje. Përtej raportit të specifikuar për progresin drejt BE-së, kam frikë, se sfida ka të bëjë me konceptet dhe idetë e të qenit pjesë e BE-së, të cilat asnjëherë nuk janë kuptuar e për mos të thënë të ndihen si pjesë e përditshmërisë e klasës politike e cila duhet ta udhëheqë shoqërinë drejt integrimit. BE është e bazuar mbi principet e lirisë, demokracisë, respektit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe mbi të gjitha sundimi i shtetit ligjor dhe i së drejtës. Këto janë Kuran e Bibël, ligje e rregulla, a ç’të duash e të duan tjetër, janë “A”-ja, themeli, postulati… i principeve të cilat nuk lëvizin dhe janë të përbashkëta për të gjitha shtete anëtare apo ato që duan të anëtarësohen në BE. S’ka kompromise për këtë. Aq e thjeshtë është. Dhe ti marrim me radhë: LIRIA. Nuk ka kompromise me lirinë. E cila mund të shprehet në të gjitha format e mundshme, që nga mendimet, e deri tek protestat. Në të gjitha format në të cilat ka kritikë apo satirë, humor apo tragjedi. Me të vetmin rregull, që liria jonë mos të cënojë dhe dëmtojë tjetrin. Por sa njohin lirinë pjesëtarët e klasës tonë politike? Sa e jetojnë dhe e kuptojnë ata këtë koncept? Është absurde që sot ende të kesh frikë nga ide apo të kesh frikë nga pyetje që ngrihen. Dhe për shkak të kësaj frike të ndërtohen mekanizma të tërë për kontrollin e rrugës nëpërmjet së cilës me shpesh përçohet lira në gjithë dimensionin e sa saj, që është media. Çdo lloj kufizimi dhe sidomos i medies është kufizim i LIRISË. Është kaq e thjeshtë. Dhe ata që nuk pranojnë lirinë, s’kanë vend natyrshëm në BE, por e tmerrshmja është së tërheqin zvarrë gjithë shoqërinë në prademokracinë që e sundojnë.
DEMOKRACIA.
Qeverisja nga njerëzit. Kjo është demokracia. Koncept që vjen që nga lashtësia, i artikulura në Greqinë e lashtë. Në kohë modernen do të thotë një sistem ku të gjithë njerëzit e një vendi, brenda rregullave të caktuara marrin pjesë në ndërtimin e shtetit, por ku është e pa diskutueshme që VULLLNETI i tyre nuk cenohet. Por a vlen ky parim tek ne? Çfarë procese zgjedhore zhvillohen? Është e pafalshme që ende të diskutohet liria e zgjedhjes, apo përdorimi i metodave të dhunës, ose më keq ende manipulime të ndryshme pa asnjë mëshirë për të ardhur në pushtet. Ata që nuk respektojnë vullnetin e njerëzve nuk meritojnë që nuk meritojnë të jenë në BE, por fatkeqësia është që dëmi i shkaktuar shoqërisë është thuajse i pa riparueshëm. Sepse krijohen modele ku për normale merret matrapazllëku, manipulatori dhe ku aftësia dhe dija përçmohen. Korrigjimi i këtij “normaliteti” pastaj mbetet një plagë tjetër e hapur.
TË DREJTAT E NJERIUT.
Asnjë shoqëri modernen nuk imagjinohet sot pa garancitë e të drejtave të njeriut. Janë aq bazike dhe jetike për Evropën sa që, nëse se ke kuptuar këtë nuk mund të flasësh sot as për lirinë dhe as për demokracinë. S’ka shtet evropian që mund të bëjë kompromis me këto liri që përfshin që nga liria e mendimet e deri tel liritë seksuale. Nuk mund të zgjedhësh vetëm disa. Nuk mund të zbatosh disa vetëm pjesërisht. Këto të drejta janë një trup. Nuk mund t’ia heqësh një njeriu duart se mund ti ketë të gjata apo t’ia ndërrojmë fytyrën se nuk na pëlqen. Njeriu vjen i plotë ashtu siç është. Edhe këta të drejta vijnë të plota ashtu siç janë. Një shoqëri, një shtet dhe një elitë politike që se ka kuptuar këtë nuk meriton të jete ne BE. Por sërish ajo që është për të ardhur keq është se politika që duhet ë jetë garancë e këtyre të drejtave thirret në emër të Evropës, bën fushatë në emër të saj kurse në veprime dhe koncepte nuk ka asgjë evropiane duke shkaktuar sërish iluzione dhe konfuzion se ç’është Evropa dhe evropianizmi.
SUNDIMI I SHTETIT LIGJOR.
Shteti është njerëzit! Të gjithë ata që janë pjesë e institucioneve. Një shtet ligjor dhe i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse njerëzit nuk kanë të përqafuara fort dhe nuk i kuptojnë parimet e lirisë dhe demokracisë. Vetëm këto parime garantojnë zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe sundimin e ligjit një lloj për të gjithë. Por shoqëria jonë vetëm këtë nuk po e sheh dhe nuk a ka parë këtë kohë. Sheh një kapje të shtetit nga politika dhe jo një shtet që do ti shërbejë njerëzve. Një shoqëri, një vend që lëkund seriozisht parimet bazike të shtetit moderne s’- mund të jetë në Evropë. Dhe frika është se me këtë mendësi nuk do të jetë edhe gjatë, pa çka se synimi do të mbetet konstant. Çdo vlerësim për një shtet se sa ka përparuar në rrugën drejt BE-së bëhet mbi bazën e parimeve që janë përfshirë në atë që quhet “kriteret e Kopenhagës”. Aty janë kriteret politike, të cilat thonë se një shtet kandidat duhet të ketë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokraci, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve. Raporti për Maqedoninë ishte përplot kritika! I nxirrni vetë konkluzionet. Koha e (anti)evropianizmit vlon, do të vazhdojë gjatë me sa duket.
















