Partia Demokratike ankimon në Gjykatën Kushtetuese ndarjen e re territoriale me 61 njësi vendore. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, dje paradreke ngjiti shkallët e Gjykatës Kushtetuese për të depozituar ankesën e radhës së opozitës, që ka të bëjë me dy kërkesa kryesore: “1) Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit nr. 115/2014 ‘Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’.
2) Pezullimin e ligjit nr. 115/2014 ‘Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’”. Demokratët kërkojnë pezullimin e ligjit, duke bërë të mundur që harta e re me 61 bashki të mos zbatohet në zgjedhjet e ardhshme lokale të 2015-s. “Akti ka dyshime të arsyeshme se bie ndesh me Kushtetutën, për shkak se është në kundërshtim me nenet 4, 13, 83/3 dhe 108 të Kushtetutës. Në rastin konkret, ekziston një urgjencë për pezullimin e ligjit, sepse dekretimi i zgjedhjeve dhe përgatitja për to, fillojnë shumë kohë përpara përfundimit të mandatit të organeve ekzistuese. Kjo bën që situata të jetë emergjente, duke pasur parasysh edhe faktin që vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i sjell efektet vetëm pas hyrjes në fuqi, duke i pamundësuar organeve zgjedhore kohën e mjaftueshme për përgatitjen e zgjedhjeve. Dëmi që mund t’i shkaktohet interesave shtetërore është i rëndë dhe i pamundur për t’u riparuar. Konkretisht, moszhvillimi i zgjedhjeve të rregullta dhe në përputhje me standardet, si pasojë e mungesës së kohës së mjaftueshme për përgatitjen e tyre, sjell deformim të vullnetit të zgjedhësve dhe cenim të së drejtës së tyre kushtetuese”, thuhet në kërkesën e PD-së, e cila ka gjithsej 40 faqe. PD pretendon se mazhoranca ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit gjatë shqyrtimit të këtij drafti, që sipas tyre duhej të votohej me 3/5 e votave të të gjithë deputetëve. “Duke iu referuar pikës 3 të nenit 83, Kushtetuta e ndalon zbatimin e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve të renditura në nenin 81/2, me përjashtim të parashikimit të pikës dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme”. Ky parashikim kushtetues detajohet edhe në Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 55, ndërsa e përforcon kërkesën për arritjen e kuorumit dhe vendimmarrjes në seancë plenare “me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit” për miratimin e ligjeve të cilësuara, parashikon edhe disa rregulla procedurale të ndryshme nga ato që zbatohen gjatë miratimit të ligjeve të zakonshme, konkretisht, koha e diskutimeve dhe koha në dispozicion gjatë shqyrtimit nen për nen, dyfishohen në rastin e ligjeve të cilësuara (nenet 48 dhe 75)”, thuhet në kërkesën e PD-së. Saktësohet se “ligji nr. 115/2014 është miratuar me procedurë ekstra të përshpejtuar parlamentare, në kundërshtim me ndalimin e parashikuar në nenin 83 të Kushtetutës. Konkretisht, projektligji është depozituar në Kuvend më datë 23.07.2014 dhe është shqyrtuar e miratuar në seancën plenare të datës 31 korrik 2014 (pra brenda një jave nga momenti i depozitimit)”. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, demokrati Oerd Bylykbashi, pas dorëzimit të kërkesës e cilësoi hartën e re si një qëllim të së majtës për të fituar zgjedhjet në tavolinë. Edhe pse nuk kontestohet numri i bashkive, demokratët kontestojnë dhe faktin tjetër se nuk janë kryer konsultime për një ligj të tillë. “Jemi përpara një shkelje që ka vetëm një synim; kapjen dhe fitoren e zgjedhjeve në tavolinë. Kjo është jo vetëm në vazhdën e të gjithë tentativave për kapjen e çdo institucioni nga kjo mazhorancë por në rastin konkret është një tentativë antikushtetuese për të kapur themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Me këtë hartë territoriale, që shkel çdo parim, nuk mund të ketë zgjedhje. Nëse mazhoranca do që të shkojë drejt një situate, ku zgjedhjet do të cenohen në të gjitha standardet e tyre, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ta kthejë Shqipërinë hapa prapa, edhe në procesin e integrimit europian”, tha Bylykbashi.
2 Shkelja – Ligji u miratua brenda një jave, me procedurë ekstra të përshpejtuar parlamentare, në kundërshtim me ndalimin e parashikuar në nenin 83 të Kushtetutës
3 Neni 108 – Demokratët pretendojnë se është shkelur neni 108 i Kushtetutës, “Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”
4 Komunat – Shkrirja është jokushtetuese. “Kuvendi ka shkelur parimin kushtetues të hierarkisë së akteve normative, të sanksionuar në nenin 4 dhe 116 të Kushtetutës















