Nga Hysni Gurra
Tetë vite opozitë iu deshën qeverisë së sotme për të bindur gjysmën e popullsisë se ndodhen në një gjendje mizerabël dhe duhet t’i besojnë alternativës së tyre për të shpëtuar. U bë refren gjatë takimeve “gju më gju me popullin” premtimi për heqjen e akcizës së naftës dhe taksës së qarkullimit mbi të. Ajo ishte koha e premtimeve të mëdha në kohën e “mjerimit” të madh! Tani erdhi pushteti dhe bashkë me të edhe koha e harresës.
Çmimi i lartë i naftës bën që në Shqipëri të mos punohen fare mbi 150 mijë hektarë tokë pjellore. Por edhe për pjesën që punohet, vështirësitë janë të jashtëzakonshme. Proceset agromekanike, si pasojë e çmimit të lartë të naftës, janë shumë të kushtueshme. Kështu që fermerët, në të shumtën e rasteve nuk i kryejnë të gjitha proceset e nevojshme në tokë për arsye ekonomike. Për rrjedhojë, fermeri shqiptar punon vetëm për të mbajtur frymën dhe jo për plotësuar nevojat e tregut. Ashtu sikurse në çdo degë të ekonomisë, çmimi i lartë i naftës ndikon direkt dhe indirekt në çdo proces të prodhimit bujqësor. Ai ndikon në transport, në ujitjen e tokës, në çmimet e farërave, plehrave, pesticideve dhe në tregtim. Pra, me pak fjalë, është elementi kryesor për një bujqësi në zhvillim siç është bujqësia shqiptare.
Për të pasur një bujqësi të zhvilluar, konkurruese, cilësore, sasiore dhe rentable, fermerit shqiptarë, medoemos duhet t’i plotësohen dy kushte bazë në punën e tij: uji në parcelë dhe ulja e çmimit të karburantit. Në të kundërt, pritshmëritë e krijuara ndaj këtij sektori janë të kota!
E vërteta është se ato që dëgjojmë në media e na shiten si arritjet e qeverisë në këtë sektor, realisht nuk janë asgjë më shumë se disa fjalë boshe dhe mashtruese drejtuar gjysmës së popullsisë së këtij vendi.
Bujqësia është sektori ekonomik që kontribuon në buxhetin e shtetit, afërsisht 1/5 e PBB. Por ky sektor në vetvete përmban shumë probleme. Shqipëria renditet ndër vendet me sipërfaqen më të ulët tokë për frymë në Europë, dhe kjo sipërfaqe shumë e ulët për frymë e rendit Shqipërinë ndër vendet e para në Europë për parcelizimin e tejskajshëm të tokës. Por, problemet për fermerët shqiptarë s’kanë të sosur me kaq. Ata përballen me probleme të shumta financiare, të cilat iu shkaktojnë vështirësi të mëdha në prodhim dhe disavantazhe konkurruese. Çmimi i lartë i naftës është ndër problemet kryesore për ta. Fermerët tanë, sot kanë buxhetin familjar më të ulët në Europë dhe, pothuajse në aktivitetin e tyre të gjitha proceset, nga punimi i tokës, mbjellja, kultivimi e deri te tregtimi i bën me para borxh. E në këto kushte, si mundet të prodhojnë dhe të jenë konkurrues ata?
Një tjetër mangësi qëndron te fakti i hidhur se nuk kanë asnjë dritare mediatike ku të ankohen dhe të ngrenë zërin për shqetësimet e tyre dhe premtimet e pambajtura. Sot, gjithsecili që i është prekur interesi direkt ose indirekt ka mundur të ngrejë zërin për premtimet e pambajtura; të vetmit që nuk kanë mundur të thonë dot asgjë sepse nuk kanë hapësirat e nevojshme mediatike që të përcjellin shqetësimet e tyre janë fermerët. Ndërsa nga ana tjetër, makina e propagandës i ka dyert e medias të hapura për të thënë se premtimet u mbajtën dhe se nafta e premtuar për fermerët u dha. Por fermeri, i cili dëgjon gjithë këtë demagogji dhe propagandë në media, është dyfish i revoltuar dhe i mllefosur për dy arsye: e para,premtimet që iu bënë nuk u mbajtën dhe, e dyta, se s’kanë një “zë” në media ta thonë këtë. Kështu që fermerët janë detyruar të dëgjojnë edhe mashtrimin që bëhet në kurriz të tyre.
Premtimet e pambajtura
“Heqja e akcizës së naftës dhe taksës së qarkullimit”, ndër shumë të tjera, ishte një nga premtimet më të rëndësishme dhe më madhore gjatë fushatës së fundit elektorale. Kjo nuk ndodhi. Ata që nuk kanë lidhje të afërt me bujqësinë, kur kanë dëgjuar rreth analizës së fundit bërë nga ministria përkatëse, me shumë gjasa kanë besuar se tashmë nafta për fermerin është një premtim i mbajtur. Unë do të përmend vetëm një fakt, nga i cili gjithkush mund të nxjerrë vetë përfundimin nëse është dhënë nafta për bujqësinë apo jo.
Së pari, premtimi ishte për heqjen e akcizës së naftës për të gjithë bujqësinë në tërësinë e saj. Ky rezultoi të ishte një premtim bosh.
Së dyti, është përfshirë në skemat e mbështetjes subvencionimi i kostos së naftës për serat me ngrohje. Konkretisht në udhëzim thuhet: “Mbështetja e prodhimit në sera me ngrohje qendrore përmes financimit, në masën 50% të kostos së lëndës djegëse…, vlera e përfitimit do të jetë 50% e vlerës së faturës, por jo më shumë se 100 mijë lekë/dyn, për ngrohje të serës me naftë dhe 80 mijë lekë/dyn, për ngrohjen me solar”. Për ta thjeshtëzuar më shumë, le ta konkretizojmë me një shembull: një serë me sipërfaqe prej një hektari, e pajisur me teknologjinë më bashkëkohore, ka katër kaldaja të cilat punojnë me naftë ku secila prej tyre, sipas katalogut, konsumon 36,5 litra naftë për orë. Për lehtësi kuptimi nga lexuesi, po e marrim të mirëqenë që konsumi për kaldajë shkon 40 litra në orë. Një serë me 4 kaldaja kërkon 160 litra naftë për një orë. Nëse llogarisim kohën minimale gjatë së cilës kaldaja duhet të qëndrojë e ndezur gjatë muajve të ftohtë të dimrit, që nevoja e kërkon minimalisht 10 orë në 24, i bie që në një ditë, një sere i duhet 1,600 litra naftë. Pra, në 90 ditë që parashikohet periudha e ftohtë në Shqipëri, gjatë së cilës sera ka nevojë për ngrohje, prodhuesit i duhen në total 144,000 litra naftë. Duke e llogaritur me një çmim 180 lekë për litër, vlera totale arrin 25,920,000 lekë për tre muaj. Por qeveria nuk jep më shumë se 100 mijë lekë për një dynym pra- VETEM 3.1 ditë mund të punojë kaldaja!
Absurditeti nuk mbaron këtu, këto para fermeri do t’i marrë në muajin mars të vitit pasardhës (të këtij viti do t’i marrë në mars 2015). A quhet kjo mbështetje për fermerin? A është ky kompensimi me 50% i lëndës djegëse për serat me ngrohje?! Nisur nga kjo skemë, lind pyetja nëse do të ketë apo jo aplikantë për këtë skemë? Nisur nga përshtypjet që kam krijuar nga kontaktet e shumta me fermerë të zonave të ndryshme, mund të them se fermerët e ndershëm, as që do ta marrin fare mundimin të ndezin kaldajën për tri ditë naftë që do t’u subvencionojë shteti dhe, më pas të detyrohen të shtojnë nga xhepi i tyre përveç farës, mbjelljes, kultivimit edhe disa qindra mijë litra të tjera naftë për të hedhur në treg prodhimin e tyre. Kjo është qesharake dhe nuk ia vlen barra qiranë. Sigurisht që do të ketë edhe nga ata që formalisht do të plotësojnë disa dokumente por, a do të ketë moral institucioni që jep këto para të bëjë verifikim dhe kontrollin e nevojshëm nëse nafta është përdorur apo jo për qëllimin e duhur? Sigurisht që jo. Edhe në këtë rast, nafta do të shkojë gjysma tek një “fermer” dhe gjysma tjetër andej nga u nis për të ardhur deri tek ky fermer! Këta komponentët e fundit, të dy bashkë, plotësojnë “makinën e propagandës” së sukseseve dhe arritjeve imagjinare!
















