Rreth 300 pjesëtarë të cilët për shumë kohë i shërbyen Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), tanimë janë pjesë e Policisë së Kosovës. Ata janë integruar në institucionin e rendit të Republikës së Kosovës, duke hequr dorë nga uniforma e policisë serbe.
Madje 24 prej tyre sot mbajnë edhe grada e që janë vendosur në pozita të rëndësishme vendimmarrëse.
Ndonëse ata veprojnë vetëm në qytetet veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ata janë pjesë e zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës dhe në krahët e tyre mbajnë stemën e Policisë së Republikës së Kosovës.
Zëvendëskomandanti në Drejtorinë Rajonale të Policisë në veri, Besim Hoti, ka deklaruar se 24 pjesëtarë të ish MUP-it serb, tani janë pjesë e Policisë së Kosovës. Ata janë graduar dhe janë vendosur në pozita vendimmarrëse në veri të Kosovës.















