Deputeti Socialist Erion Braçe është treguar sarkastik si ndaj ish-Kryeministrit Berisha, ashtu edhe ndaj deputetit demokrat Ristani. “Që Sali Berisha të thotë publikisht se “Arben Ristani nuk ka qënë në burg” është një tallje shembullore b…….!”- shkruan Braçe në Fb, pas debateve që shoqëruan incidentin Rama – Ristani dy ditë më parë.
“Tamam Sali Berisha e arrestoi dhe e dërgoi në burg!” – shprehet Braçe, duke përforcuar: “Direkt Sali Berisha! Kjo tregon edhe marrëdhënien e tmerrshme në atë parti! Nejse; e rëndësishme është që Ristani tani beson se nuk ka qënë në burg dhe kjo i duket nga dhëmbët!”
Dy ditë më parë, një incident ka ndodhur në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë ndërmjet Kryeministrit Rama dhe deputetit të PD-së, Arben Ristani. Ky i fundit deklaroi se Kryeministri e fyeu pas shpinës, ndërsa mbante fjalimin, ndërsa Kryeministria reagoi duke e konsideruar si një folës “përgjithësisht të dehur” duke shtuar se ka qënë edhe i dënuar me burg për korrupsion. Ish-Kryeministri Berisha më pas ka pohuar se “Ristani nuk ka vuajtur dënim në burg”, ç’ka ka nxitur edhe kundërshtinë e Braçes, sot.















