Ish-ministrat e qeverisë “Berisha” i quajnë të drejta kritikat e kryetarit demokrat, Lulzim Basha, se disa ish-zyrtarë të PD-së fjetën mbi “dafinat e pushtetit”. Të qartë në mesazhin e përcjellë nga Basha, katër nga ish-ministrat e Berishës, Halimi, Pollo, Imami dhe Bumçi pyetjes nëse duhet reflektim për atë që u bë gabim në qeverisjen e shkuar, pothuajse njëzëri iu përgjigjën pozitivisht.
Ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo është i bindur se të gjithë janë nga pak fajtorë. “Pa dyshim që të gjithë jemi nga pak fajtorë dhe të gjithë duhet të bëjmë atë që na takon, me qëllim që PD-ja të shkojë aty ku duhet të jetë”, – theksoi Pollo.
Edhe ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi pranon përgjegjësitë gjatë kohës së qeverisjes së demokratëve. “Ne që kishim përgjegjësi ekzekutivi, ishim përfaqësues, ndiejmë një përgjegjësi shumë më të madhe, ndaj mendoj që duhej të theksohej ky element”, – deklaroi Bumçi.
Kurse ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami u shpreh: “Shumë mirë, shumë mirë, padyshim”. Për ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, fjalët e kryetarit janë tërësisht të qarta dhe nuk ka dyshim për askënd. “Të gjithë ata, përfshirë edhe mua, që kanë pasur poste drejtuese, që janë marrë me drejtimin e fushatave, me drejtimin e qeverisjes, kanë përgjegjësi një më një. Dhe këtu nuk ka asnjë dyshim për gjithkënd që ka menaxhuar një sektor. Ato që tha kryetari qëndrojnë një më një. Fjalët janë tërësisht të qarta dhe mua më vjen mirë që janë mirëpritur nga të gjithë qytetarët”, – u shpreh Halimi.
Në ditën e parë të Kuvendit Kombëtar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u kërkoi falje të gjithë shqiptarëve për zyrtarët që fjetën mbi “dafinat e pushtetit” dhe harruan qytetarët. “Për të gjitha këto dhe për çdo mangësi tjetër, unë sot, në emër të Partisë Demokratike u kërkoj ndjesë nga kjo tribunë, me përulje, anëtarëve të Partisë Demokratike dhe para së gjithash atyre qytetarëve që janë ndier të braktisur dhe kanë pasur arsye të ndihen të zhgënjyer në pritshmëritë e tyre nga qeverisja jonë”, deklaroi kreu i PD-së. Gjatë fjalimit të tij, Basha u rezervoi kritika të forta edhe disa ish-zyrtarëve të PD-së, që sipas tij “fjetën mbi dafina”, duke harruar anëtarësinë. Me faj për humbjen, kreu i PD-së bën edhe ata që u zgjodhën për të kandiduar. Por shefi i opozitës beson se demokratët e kanë forcën e duhur për t’u ringritur, qoftë edhe nga hiri si në vitin 1997. E për ringritjen duhen forca njerëzore, që sipas Bashës mund të jenë të djathtë e të majtë, por kurrë të inkriminuar. Me faj për humbjen, kreu i PD-së bëri edhe ata që u zgjodhën për të kandiduar. Por shefi i opozitës theksoi mandej optimizmin e tij që demokratët e kanë forcën e duhur për t’u ringritur qoftë edhe nga hiri, si në vitin 1997. E për ringritjen duhen forca njerëzore, që sipas Bashës, mund të jenë të djathtë e të majtë, por kurrë të inkriminuar.
















