I harruar ishte konsideruar në dy-tri vitet e fundit trendi i vjedhjes së veturave “Golf” nëpër Kosovë. Megjithatë, ata që kanë menduar kështu, janë mashtruar.
Vjedhesit e specializuar për vjedhjen e kësaj marke të veturave u janë kthyer aksionet.
A.S., nga Prishtina, ka disa muaj qyshkur ka shtuar masat e sigurisë për veturën e tij “Golf 2”, me të cilën i kryen të gjitha punët e përditshme. Thotë se e ka edhe një veturë tjetër për udhëtime të gjata të cilën e ka blerë “shumë shtrenjtë”.
Megjithatë kjo e fundit ia ka liruar vendin “Golf 2-it” në garazh, sepse është “disa fish më i rrezikuar”.
“I kam dëgjuar disa raste kohëve të fundit të vjedhjeve të veturave Golf 2. Po i marrin dhe po i shesin për pjesë e për hekur. Është krijuar një pasiguri që më ka detyruar të marr masa dhe ta ruaj më mirë “Golfin”.
Megjithatë mos ta mësyfshin hajnat se s’ke si të mbrohesh vetë. Mendoj se policia duhet të merret më tepër me këtë aspekt”, ka thënë A.S.
Ndërsa, Brahim Sadriu, zëdhënës i PK-së ka thënë se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë evidentuar 131 raste të vjedhjeve të veturave.
















