Prej 208 milionë grave në mbarë botën, më shumë se 41 për qind prej tyre ballafaqohen me shtatzëni të padëshiruar dhe të paplanifikuar.
Kurse, numri i rinisë në botë, që tani janë duke jetuar nuk ka qenë asnjëherë më i lartë, madje rreth një miliard nga ta janë prej moshës 12 deri në moshën 18 vjeçare.
Kështu u tha në tryezën “Rëndësia e komunikimit në mes të prindërve dhe fëmijëve për shëndetin seksual dhe riprodhues”, të organizuar nga UNFPA-ja, UNICEF dhe OBSH.
Në këtë tryezë po ashtu u tha se në Kosovë, aborti është ende i përhapur mes grave të martuara dhe beqareve, dhe se metoda më e përdorur gjerësisht e kontracepsionit është tërheqja.
Sipas shefes së zyrës së UNFPA-së, në Kosovë ka pasur trende pozitive po se ende ka shumë punë për t’u bërë.
Madje siç pohoi ajo, prej 4531 adoleshentë në Kosovë që janë intervistuar prej tyre 13,3 për qind kanë përjetuar marrëdhënien e parë seksuale.
“Të paktën dy të tretat e të gjitha infeksioneve seksualisht të transmetueshme të raportuara ndodhin në mesin e burrave dhe grave nën moshën 25 vjeçare. Në total, 215 milionë gra kanë një nevojë të paplotësuar për kontracepsionin modern. Sipas 10 fakteve të OBSH-së për infeksionet seksualisht të transmetueshme, një në 20 vajzat adoleshente merr infeksion bakterial përmes kontaktit seksual çdo vit dhe mosha në të cilën infeksionet po fitohen, është duke u bërë gjithnjë e më re. Këto janë fakte shqetësuese dhe duhet të trajtohet si prioritet nga të rinjtë, prindërit, mësuesit, dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor të gjithë botën, edhe në Kosovë. Është evidentuar se në Kosovë, nga 4531 adoleshentë që janë intervistuar, 13,3 për qind kanë raportuar të përjetojnë marrëdhënien e parë seksuale në moshën 14, dhe 26.5 për qind e atyre nuk kanë përdorur ndonjë metodë kontraceptive”, ka thënë ajo.
Ajo tha se vetëm përmes edukimit, informimit dhe fuqizimit të brezit të ardhshëm të të rinjve, mund të bëjnë një ndryshim në luftën e vazhdueshme kundër shtatzënive të paplanifikuara dhe IST.
Kurse, Pashk Buzhala, ushtrues detyre, i drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë, tha se para disa vitesh është hartuar ligji për shëndetin seksual por se ende duhet të punohet në këtë drejtim, madje siç u shpreh ai , çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues kanë ende vend për diskutim.
“Shëndeti seksual dhe riprodhues nuk është problem vetëm shëndetësor. Është problem edhe i sektorëve tjerë”, ka thënë Buzhala.
Po ashtu, edhe Genc Ymerhalili, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Mjekësisë Familjare, tha se qëllimi i kësaj ditë është vetëdijesimi i të gjithëve jo vetëm i institucioneve shëndetësore.
Ndryshe, dita e 26 shtatorit shënohet çdo vit në mbarë botën si Ditë Botërore e Kontracepsionit.















