Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i pranishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në SHBA, deklaroi se Shqipëria ka dhënë mbështetjen e saj për rezolutën për luftëtarët e huaj terroristë.
Rezoluta afirmon vendosmërinë e shteteve anëtare për të bashkërenduar veprimet ndaj terrorizmit në të gjitha format e tij, i cili përbën rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Kështu Shqipëria iu bashkua vendeve të cilat mbështetën këtë rezolutë, qëllimi kryesor i së cilës është përgjigjja ndaj rrezikut në rritje që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë.
“Luftëtarët e huaj terroristë paraqesin një rrezik gjatë gjithë trajektores së lëvizjes së tyre si në destinacionin përfundimtar ashtu edhe në shtetet ku ata tiranizojnë. Por ky rrezik është po ashtu i madh dhe për shtetet e origjinës pasi kthimi në këto vende paraqet rrezik potencial veçanërisht kur strukturat e sigurisë janë te pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është i pakonsoliduar ose kur ka rrethana komplekse të përbërjes etnike ose fetare siç është rasti në Ballkan. Shqipëria është krenare që është ndër vendet e para që i janë përgjigjur kësaj sfide”, ka deklaruar Bushati.
Ministri gjithashtu theksoi faktin e nevojës së adresimit të faktorëve socialë dhe ekonomikë që favorizojnë përfshirjen e luftëtarëve të huaj në rrjetet dhe aktivitetet terroriste dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për forcimin e paqes dhe stabilitetit.















