Ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kreu i PD, Lulzim Basha, është përgjegjës për ristrukturimin e kësaj force politike në kuadër të zgjedhjeve për kupolën drejtuese. “Ish-Kryetari e sheh me shumë interes këtë proces për të ardhmen e PD-së, por pa asnjë lloj implikimi të tij. Ky është proces ku përgjegjësinë e kanë dhe do ta mbajnë Kryetari dhe ata që do të udhëheqin Partinë Demokratike. Unë, nga ky grup, jam ndarë njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Berisha.
Ai ka theksuar se zgjedhjet që priten për ristrukturimin e forumeve drejtuese, është një moment shumë i rëndësishëm për PD. “Unë e shikoj si një moment historik për PD-në dhe si një risi të vërtetë. Partia Demokratike vjen në këtë Kuvend pas një ristrukturimi të plotë nga seksionet gjer në kryesitë e degëve; vjen për të zgjedhur forumet drejtuese, por vjen kësaj here me një trupë zgjedhës më të gjërë se kurrë në historinë e këtij vendi, pasi ka zgjedhur kryetarin me votën e çdo anëtari; ka zgjedhur Këshillin Kombëtar me 8 mijë delegatë. Faktikisht, është një lloj konvente e re që PD-ja nuk e ka njohur më parë”, tha Berisha.
Ndërkaq, duke u ndalur në post vizitën e Papa Françeskut, Berisha theksoi se Shqipëria bëri një pritje dinjitoze për Atin e Shenjtë. “E vërteta është se kjo ishte një vizitë vërtet historike, me një seri kulmesh gjatë ditës së djeshme, filluar nga pritja e zjarrtë e qytetarëve të Tiranës, mbarë Shqipërisë dhe nga të gjitha trojet – tek pritja dinjitoze e mikpritësit të Shenjtërisë së Tij, Presidentit Nishani në Presidencë, siç e shprehu edhe vetë monsinjor Lombardi, kur citoi fjalë të fjalimit dhe të pritjes së Presidentit të Repulbikës – kulmoi me Meshën Papale, Meshën e Shenjtë në Sheshin “Nënë Tereza”, mesha më përlotëse e Atit të Shenjtë në Katedralen e Shën Palit, takimi me udhëheqësit e komuniteteve fetare; përshëndetja e Tij me qytetarët, vizita në Qendrën Betania të Bubqit”, theksoi Berisha.















