Mbesa e ish-kryeministrit Sali Berisha, Dasara Malltezi përmes rrjetit social Facebook shpreh reagimin e saj ndaj shfaqjes me parulla enveriste. Dasara shkruan se parulla të tilla në të gjitha vendet e zhvilluara evropiane dënohen me burgim. “Në të gjithë vendet e zhvilluara europiane, dhe jo vetëm, parulla të tilla dënohen me burgim. Ju janë vrarë të afërm, pa gjyq por me vetëgjyqësinë e regjimit; ishit vendi i dytë më i varfër në botë pas Ugandës, sa çdo gjë e kishit me tollona; duhet të ngriheshit në pikë të mëngjesit të merrnit ushqimin; ju kanë internuar, torturuar, persekutuar, burgosur, vrarë… dhe akoma i shkoni pas?!
Epo nuk di ç’tju them veç se e paskeni merituar tërë torturën e 50 viteve diktaturë dhe sot ku çdo vend i botës po të thuash me gojë parulla të çojnë përpara drejtësisë, ndërsa në Shqipëri jo vetëm që kjo nuk ndodh, por përkundrazi ende shkojnë dhe i qajnë te varri. Po deri në vitet ’90 s’kishit ç’të hanit, se ju lanë me bukë e kripë të rronit, dhe ju sot i mbështesni?! Ku e keni logjikën?! Mirë mosha e tretë se me atë frymë është rritur, po këta nga 30-40 vjeç ku dreqin e kanë logjikën. Mendoheni pastaj pse nuk është vend i zhvilluar Shqipëria. Po si të jetë vend i zhvilluar kur ju akoma kapeni në makabritetet e të kaluarës? Si mund të zhvillohet një vend ku populli ende i qan te varri atyre që i vranë e therën për gjysmë shekulli”, përfundon ajo.















