Përfaqësuesi diplomatik irakian në Vatikan ka thënë se jeta e Papës është në rrezik nga një bandë kriminelësh gjatë vizitave të tij në Shqipëri dhe Turqi, shkruan gazeta britanike “The Telegraph”.
Korrespondenti i kësaj gazete në Romë ka shkruar se Vatikani është paralajmëruar se jeta e Papës është në rrezik pikërisht nga ekstremistët islamikë të ISIS në Shqipërinë me shumicë myslimane, gjatë uikendit të ardhshëm.
Ati i Shenjtë në Shqipëri, ja itinerari
Papa Francesk, viziton Shqipërinë këtë të diel dhe vëmendja është përqendruar në qëndrimin e tij, vizitat, takimet dhe ceremonitë e organizuara me këtë rast historik për vendin tonë.
Ati i Shenjtë do të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, në orën 9:00 të mëngjesit të së dielës, ku i është rezervuar pritje zyrtare nga Kryeministri Edi Rama dhe disa përfaqësues të Kishës Katolike.
Në orën 9:30 është planifikuar ceremonia e mirëseardhjes në oborrin e Presidencës, shoqëruar me një vizitë kortezie me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Ora 10:00 do ta gjejë Papën në në sallën e pritjes së kreut të shtetit, në një takim me autoritetet dhe më pas do të ketë një fjalim nga ana e tij.
Një orë më vonë, në sheshin “Nënë Tereza”, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën e Shenjtë. Do të bashkëkremtojnë me të edhe 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminaristë dhe 4 diakonë.
Në hapësirën para altarit, do të vendosen një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Francesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.
Ndërkohë janë marrë masa edhe nga Ministria e Shëndetësisë, me vendosjen e disa ambulancave dhe ekipeve mjekësore ne shesh, me qëllim ndërhyrjen në rast problemesh. Po ashtu do të ketë vullnetarë të Kishës Katolike, si edhe do të vendosen disa tenda për të shpërndarë ujë.
Në orën 13:30 është planifikuar një takim dhe drekë me ipeshkvinjtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.
Në mjediset e Nunciaturës Apostolike Ati i Shenjtë do të takojë Ministrin e Brendshëm Z. Sajmir Tahiri me një grup bashkëpunëtorësh të Ministrisë së Brendshme.
Në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa do të takohet me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Ati i Shenjtë duke vlerësuar bashkëjetësën fetare në Shqipëri ka shprehur dëshirën të takojë personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant. Ky takim do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Në orën 17:00 do të jetë kremtimi i lutjes së mbrëmësores në Katedralen e Tiranës. Në këtë takim do të marrin pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri.
Në Bubq do të jetë ndalesa e fundit e Papës, ku do të takojë fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi personash të qendrave të tjera të bamirësisë të Kishës në Shqipëri.
Në orën 19:45 në aeroport do të zhvillohet ceremonia e largimit të Papës nga vendi ynë dhe 15 minuta më vonë, Ati i Shenjtë do të lerë tokën shqiptare.
Komuniteti mysliman i Shqipërisë dënon ISIS
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, në një intervistë ekskluzive për Top Channel ka dënuar organizatën ISIS dhe luftën në Irak dhe Siri, që ajo bën në emër të fesë islame.
-ISIS, fatkeqësisht po dëmton islamin, imazhin e tij, më tepër sec duhet. Ajo që po ndodh atje nuk është njerëzore, është dicka totalisht jashtë botëkuptimit fetar, jashtë vlerave që islami përcjell, thotë Bruçaj.
Sipas mediave europiane, numri i shqiptarëve që i janë bashkuar luftës së kësaj organizate është mbi 100. Kryetari Bruçaj ka renditur disa shkaqe që i shtyn ata t’i bashkohen ISIS, ndërkohë deklaron se vazhdon puna e imamëve nëpër xhamitë e vendit për të informuar më mirë besimtarët shqiptarë, per ate çka eshte realisht kjo lufte dhe ISIS, si organizate terroriste.
-Nëse shikojmë profilin e atyre besimtarëve që kanë shkuar atje, është një profil me probleme sociale, individuale, ekonomike. Ata nuk mund të shkojnë në emër të fesë, nuk mund të jetë islami burimi i motivimit për të shkuar atje. Ne si institucion, në bashkëpunim me imamët dhe me xhamitë, ne kemi bërë shpeshherë thirrje nëpër predikimet tona për t’i informuar dhe sensibilizuar besimtarët myslimanë që të rrinë larg ndikimeve të këtyre individëve, që në emër të fesë duan të përcjellin një përfaqësim radikal të islamit, ose duan të manipulojnë një grup besimtarësh, që ndoshta nuk është i mirënformuar për parimet kryesore të fesë, për t’i përdorur për qëllime të ndryshme. Një nga ato qëllime është për t’i dërguar për të luftuar në Siri, ose në Irak, sic është rasti konkret, thotë Bruçaj.
















