Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur prej 4 ditësh një aksion për të shembur kioska e shtesa pallatesh pa leje në Tiranë. Aksioni deri tani është fokusuar në rrugën e Porcelanit dhe unazën pranë “21 dhjetorit”.
Janë rreth 70 objekte për t’u shembur sipas INUK. Kryeministri Rama thotë se toleranca do të jetë zero ndaj “çibanëve” dhe zaptuesve të rrugës që, sipas tij, “kanë bërë ç’kanë dashur falë inekzistencës korruptive të pushtetit vendor”. Një akuzë kjo për kryebashkiakun Basha, i cili nuk vonoi të reagonte. Basha thotë se këto ndërtime që po prish Rama sot i ka lejuar vetë për 11 vjet kur drejtonte bashkinë: “vajmedeti e ha turpin me bukë. Fukarenjve që rropi 11 vjet si kryetar bashkie tani ua prish çibanët që vetë i lejoi. Por bekon pallatet dhe sarajet e Kokëdhimëve të pushtetit që lartësohen çdo ditë kundër ligjit”, -shkruan Basha në Facebook. Kohët e fundit, çibanet, siç i quan Rama ndërtimet në hapësirat publike, janë bërë shpesh shkak për replika në distancë mes tij dhe Bashës. Rama e akuzoi kryebashkiakun edhe për fast -food kolonat në sheshin Nënë Tereza. Por Partia Demokratike i publikoi dokumenta që vërtetonin se leja për këtë ishte dhënë nga Rama dhe këshilltari i tij i sotëm, Artan Shkreli.

Sot Partia Demokratike tha se të tillë çibanë po mbijnë kudo nëpër Shqipëri dhe po ndërtohen nga miqtë e Ramës. PD i kujtoi kryeministrit “kështjellën” që ka ndërtuar jashtë çdo kriteri, sipas saj, miku i tij dhe deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima në Qeparo. Sipas PD, qeveria Rama po ndëshkon të varfrit dhe po krijon pashallëqet e saj, siç e dëshmon ndërtimi i Kokëdhimës. INUK, aksionin e parë me ardhjen e PS – LSI në pushet e nisi në bregdet, ku u janë shembur me dhjetëra ndërtime nga Vlora në Sarandë, mes tyre edhe pallati i shumëpërfolu, i ndërtuar nga vjehrri i kryetarit të opozitës. Por ndërtimi që Kokëdhima ka pranuar vetë se është i kushëririt të tij, nuk është prekur, ndonëse është i ndërtuar mbi ranishte dhe jashtë çdo kriteri ligjor, siç thotë opozita.















