Partia Demokratike i kërkoi sot Prokurorisë së Përgjithshme të tregojë vëmendjen e duhur ndaj shkeljeve të ligjit nga Ministria e Mbrojtjes.
Në një deklaratë për mediat deputeti Helidon Bushati tha se Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka shkelur ligjin duke vënë mjetet e ushtrisë në shërbim të operacioneve të policisë.
Sipas tij dëmtimi i helikopterit me një vlerë prej 12 milionë euro, të blerë nga kontributi i taksapaguesve shqiptarë, përbën një dëm të madh financiar.
Bushati tha se dhënia e mjeteve të ushtrisë pa një marrëveshje, pa një vendim qeverie, pra një bazë ligjore, është një shkelje e rëndë.
Për Partinë Demokratike shkelja e ligjit dhe dëmi financiar i ardhur si pasojë kërkojnë hetim të menjëhershëm, të thellë dhe serioz.
Selia blu i bëri thirrje Prokurorisë të mos mbyllë sytë para shkeljeve e shpërdorimit të qeverisë, të nisë menjëherë hetimin, të garantojë zbatimin e ligjit dhe të vërë shkelësit para përgjegjësisë.














