Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, inspektoi punimet sot në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të zhvillohet mesha e posaçme nga Papa Françeksu më 21 shtator.
Kryebashkiaku deklaroi se bashkia po merret me projekte të në kryeqytet, gjë që sipas tij tregon se ajo po flet me vepra dhe jo me fjalë. Duke u ndalur te rehabilitimi i “Nënë Terezës”, Basha tha se tashmë ai do të shndërrohet në një shesh që nuk do të jetë më vatër e trafikut apo e garave të paligjshme të orëve të vona, por do të jetë e qytetarëve.
Basha bëri të ditur se rehabilitimi i sheshit, ishte parashikuar që të niste vitin tjetër por vizita e Papës e përshpejtoi planin.
“Kemi bërë të mundur nisjen e një plani për rehabilitimin e sheshit ‘Nënë Tereza’, i cili prej një dekadë e gjysmë nuk ka asnjë fasilitet, por që në orët e vona kthehet në pistë garash të paligjshme. Me projektin tonë do t’i kthehet qytetarëve. Investimi i Bashkisë së Tiranës, ishte parashikuar vitin e ardhshëm, por për shkak të vizitës së Papës kemi marrë nismën e nisjes së projektit, për t’i bërë një pritje Papës siç u ka hije shqiptarëve. Pas vizitës puna do të intensifikohet, për ta shndërruar në një nga zonat më të frekuentuara. Punimet do të vijojnë në të gjitha fazat, e do të mbarojnë në një kohë të shkurtër. Ky shesh nuk do të jetë më vatër e trafikut por një shesh pedonal dhe çlodhje. Bashkia përmes projekteve, i ka rikthyer vëmendjen edhe qendrave të lëna pas dore, siç është sheshi ‘Nënë Tereza’, siç mbeti për fat të keq edhe sheshi ‘Skënderbej’, deri sa vumë dorën. Bashkia e Tiranës flet me vepra dhe jo me llogje”.
















