Hadi Osmani
Tha që gjuhën shqipe e ka dhënë për NATO-n. Tha që deri në shtator do të zgjidhet emir dhe Maqedonia do të mere ftesë për në NATO. Tha se nëse nuk ndodh kjo, atëherë në shtator do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Burri i “fjalëve të mëdha”, Ali Ahmeti, doli të ketë qenë i “fjalëve boshe”. Të enjten filloi samiti i NATO-s, ndërsa Republikën e Maqedonisë e gjeti pa zgjidhje të kontestit me Greqinë. As ftesë dhe as isharete ftese nuk mori as Maqedonia e as kryetari i BDI-së. Ndërkohë në Maqedoni nuk ka as isharete të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Madje lexoj në mediat në gjuhën shqipe në Shkup se ky burrë edhe kishte ndërruar fjalët kur e kishin pyetur gazetarët se ku i mbetën kërcënimet parazgjedhore? Kishte thënë që Maqedonia nuk ka nevojë për samit dhe se mund të merr ftesë sapo ta zgjidh kontestin me Greqinë. Llogariteni, samitet nuk arrijnë ta bindin këtë Qeveri të arrijë marrëveshje e do ta bindin ditët e zakonshme. Por ne si shqiptarë tani kemi një hall tjetër, një pyetje që secili prej nesh duhet t’ia parashtrojmë një herë vetes dhe pastaj patjetër edhe kryetarit të partisë shqiptare në koalicionin qeveritarë, Ali Ahmetit. Ku shkoi tani gjuha shqipe? Për çfarë pazari u dha gjuha shqipe zotëri Ahmeti? A shkoi gjuha shqipe huq? Apo ndoshta ashtu si për zgjedhjet tani do të ndërroni fjalët edhe për gjuhën shqipe dhe do të dilni si shumë funksionarë të partisë tuaj të cilët edhe deri më tani ju kanë demantuar juve duke thënë se gjuha shqipe është zyrtarizuar tërësisht dhe nuk ka nevojë për më shumë zyrtarizim.
Na thoni zotëri Ali Ahmeti ku mbeti gjuha shqipe të cilën thatë se e keni dhënë për një qëllim më madhor, anëtarësimin në NATO? A nuk është koha ta fitojmë të paktën këtë qëllim të cilin ju e quajtët më pak madhorë se NATO-ja? Le të jetë kështu, por të paktën mos e leni këtë t’ju ik prej dore. Nëse njëra palë nuk mbajti premtimin që pretendonit se ua ka dhënë në kompenzim për gjuhën shqipe, atëherë përse nuk tërhiqeni dhe ju nga kjo marrëveshje dhe të shtroni në tavolinë zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe? Apo ndoshta tani do të keni ndonjë qëllim më madhor se NATO dhe do të duhet ta fusni përsëri në pazar gjuhën shqipe. Si ju duket kjo gjuhë juve i nderuar? Plaçkë për ta futur në pazare të përditshme dhe të ulëta? Apo çmim që duhet ta paguajnë shqiptarët për tenderët milionëshe të funksionarëve tuaj me nga 4-5 banesa dhe po aq vetura në Shkup e Tetovë? Gjuha shqipe nuk ka vdekur edhe nga pazarllëqe më të fëlliqura se kjo e juaja dhe do të mbijetojë edhe kësaj radhe. Por mendoni se ku përfunduan ata që bënin pazare pa vlerë me gjuhën shqipe. E ata nuk arritën të mbijetojnë siç mbijetoi gjuha shqipe, sepse ata i kapërdiu dhe njollosi historia. Kujdes, është kjo gjuha që flasin edhe fëmijët tuaj, prandaj mos i turpëroni dhe njollosni të paktën ata.
Nëse nuk keni ndjenjë lideri, keni të paktën ndjenjë prindërore dhe mos luani me gjuhën e fëmijëve tuaj. E sa për funksionarët tuaj e dimë se nuk mërziten, sepse ata edhe kur takohen mes veti flasin maqedonisht. Këtë e pamë me sytë tonë dhe e dëgjuam me veshët tona. Vetëm dua t’ju rikujtoj se jo të gjithë shqiptarët janë si funksionarët tuaj.
















