Ministria e Kulturës po vijon përgatitjet me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë më 21 shtator. Krahas ristrukturimit të godinave të Muzeut, Pallatit të Kongreseve, dhe sheshit “Nënë Tereza”, Ministria në bashkëpunim me Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në Tiranë po merret edhe me mirëmbajtjen dhe resaturimin e disa veprave të artit, siç janë edhe dy shtatore të “Nënë Terezës” që do të vendosen brenda datës 10 shtator; njëra vepër në Aeroportin më të njëjtin emër “Nënë Tereza” dhe tjera pranë Universitetit Politeknik.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha sot para mediave se, konkretisht bëhet fjalë për statujën e skulptorit Thoma Thomai dhe statujën e Luan Moriqit, të dy artistë që kanë fituar konkursin në vitin 2003, organizuar nga Galeria e Arteve në Tiranë për realizimin e veprave të “Nënë Terezës”.
Sipas Kumbaros me këto dy statuja nuk është bërë asnjë lloj abuzimi që ka dalë në media dhe në rrjetet sociale mbi ‘përdhosjen’ e këtyre veprave, pasi sipas saj Ministria po i restauron dhe do i vendos në vende të duhura.
Lidhur me gjendjen e shtatores së Nënë Terezës që ka qenë në Rinas, Agim Rada, drejtori i Qendrës së Restaurimeve tha se, është e dëmtuar dhe ka nevojë për restaurim pasi nuk është treguar kujdes gjatë procesit të dredhjes së bronxit, proces që është bërë në Kosovë. Sipas Radës:” Jo vetëm që bronxi sipas shtatores nuk është derdhur mirë, por më pas statuja është lyer me një tjetër substancë që e ka bërë shtatoren të duket edhe më keq.”
Çdo rregullim tjetër, sëbashku me vendosjen e shtatoreve, me rastin e vizitës së Papës në Shqipëri do të jenë gati brenda datës 15 shtator. Ndërkohë që dekorimi i Tiranës do të nis më datë 10 shtator.



















