Kreu i LSDM-së, i shpallur fajtor nga gjykata, akuzoi kryeministrin Gruevski se në periudhën 2005 – 2006 kishte shitur në mënyrë ilegale aksionet e tij në “Bankën Maqedonase”
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev do t`i paguajë 50 mijë euro dëmshpërblim kryeministrit Nikolla Gruevski. Vendimi është dhënë nga Gjykata Themelore në Shkup e cila ka shpallur fajtor Zaevin për shpifje, raporton agjencia e lajmeve INA.
Gjatë fushatës zgjedhore kryetari i LSDM-së bëri publike disa materiale audio përmes së cilave bëhej me dije se kryeministri Gruevski kishte pranuar 1.5 milion euro nga biznesmeni serb Jovica Stefanoviq – Nini, për shitjen e aksioneve të “Bankës Maqedonase”, veprim i ndodhur në vitet 2005- 2006, kohë kur Gruevski mbante postin e Ministrit të Financave.
Në atë kohë Zaev ishte shprehur se shitja ishte bërë në mënyrë kriminale dhe se përmes këtij gjesti buxhetit të shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 225 mijë euro nga fshehja e tatimeve.
Por biznesmeni serb në cilësinë e dëshmitarit dëshmoi në favor të Gruevskit, edhe pse lideri i opozitës gjatë fushatë kishte publikuar një audio regjistrim ku dëgjohej biseda mes tyre për arritjen e marrëveshjes.
Kryeministri Gruevski ngriti padi penale ndaj liderit të opozitës për shpifje lidhur me këtë rast. Ai deklaroi para trupit gjykues se ka pasur përjetime të rënda shpirtërore për shkak të shpifjeve që i janë bërë.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se akuzat e ngritura i ka bazuar në një audio regjistrim që e kishte marrë nga Den Doncev, ish-sekretari i përgjithshëm i partisë VMRO-DPMNE.
















