Tre autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë në këmbë drejtuesin e mjetit
Të armatosur dhe të maskuar, tre persona kanë grabitur automjetin Benz të shtetasit P.Gj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:40, të së hënës. Burimet policore bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit ka qenë duke lëvizur në rrugën dytësore Vorë-Tiranë. Ai ishte i vetëm në momentet që është përballur me tre agresorët. Grabitësit i kanë bërë me shenjë, P.Gj., që të ndalë automjetin, duke i drejtuar armën. Nën kërcënimin e saj, drejtuesi i mjetit tip Benz, është ndalur dhe i ka pyetur grabitësit se çfarë po ndodhte. Ata i kanë kërkuar që të zbresë nga makina, duke i kërkuar edhe çelësat. P.Gj., ka zbritur pasi është ndier i kërcënuar nën drejtimin e armës. Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se në krim, kanë marrë pjesë tre persona. Ata lëviznin me një makinë të llojit Benz, pa targa, në mënyrë që i dëmtuari të mos i identifikonte. Më pas, autorët e krimit janë ndarë në dy automjete të ndryshme dhe kanë lëvizur në të njëjtin drejtim. Ndërkaq, i dëmtuari ka mbetur në mes të rrugës. Ai ka njoftuar policinë, duke denoncuar rastin. Pas marrjes së telefonatës, patrulla e Komisariatit Nr. 6. ka shkuar në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimet. Burimet thonë se P.Gj, nuk ka qenë në gjendje që të identifikojë ndonjërin prej tyre, pasi grabitësit kanë qenë të maskuar. Errësira e ka vështirësuar edhe më tej situatën. Pavarësisht kësaj, ai ka mundur të bëjë një përshkrim të asaj që ndodhi, përpara grupit hetimor. Grabitja zgjati vetëm pak sekonda. P.Gj., ka qenë në gjendje që të vërejë se automjeti që lëviznin autorët ishte pa targa. Në dëshminë e tij, i dëmtuari ka thënë se nuk ka konflikte, e për pasojë nuk ishte në gjendje që të thoshte asnjë emër. Për të bërë të mundur zbardhjen e krimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, për të mbledhur prova materiale. Sigurimi i dëshmitarëve okularë ka qenë shumë i vështirë, pasi grabitja ka ndodhur në orët e vona të natës. Një provë e rëndësishme materiale është sekuestrimi i disa kamerave të sigurisë, të cilat ishin instaluar pranë bizneseve aty pranë. Burimet policore thonë se janë gjetur pamje filmike, që kanë regjistruar momente të grabitjes. Ato nuk janë shumë të qarta, por tregojnë qartë mekanizmin e ngjarjes. Nga pamjet, sipas policisë, shihen edhe momente, që grabitësit e kërcënojnë me armë zjarri P. Gj. “Kemi mbledhur të gjitha kamerat e sigurisë që janë gjetur pranë vendit të ngjarjes. Ato kanë fiksuar momente të grabitjes dhe ne po punojmë për arrestimin e tyre. I kemi identifikuar autorët e krimit, por nuk mund t’i bëjmë publikë emrat, pasi çështja është ende nën hetim. Besojmë se jemi shumë afër tyre për t’i vënë në pranga”, – thonë burimet policore. Për ngjarjen në fjalë, policia ka nisur hetimet për veprat penale të vjedhjes me dhunë, e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtjes pa leje.















