Një shqiptar është vrarë dhe një tjetër është plagosur në orët e hershme të mëngjesit në kufirin Kosovë-Serbi.
Mësohet se emri i të vdekurit është Fatmir Mehmeti nga fshati Dumnicë e Epërme, ndërkaq i plagosuri është N, 37 vjeçar nga fshati Llaushë.
Një qytetar tjeter i Kosovës është në duar të organeve serbe, kurse për nje personin tjeter nuk ka të dhëna se ku ndodhet.
Brahim Sadriu zyrtar për informim i Policisë së Kosovës ka deklaruar se ka marrë një deklaratë nga një familjar i njërit prej të ndaluarve nga organet serbe, dhe se ky person që kishte shkuar të pres dru ndodhet në territorin serb.
“Nuk kemi informacione tjera. Ai ndodhet në duar të palës serbe sipas asaj që na kanë thënë familjarët”, ka thënë Sadriu. Mungesa e informacionit sipas tij, vjen pasi ai ndodhet jashtë territorit të Kosovës, dhe policia nuk ka casje në informata.
Gazeta Zëri ka konfirmuar se personi Naim Zeqiri rreth 34 vjeçar është plagosur nga forcat serbe në vendin e quajtur Matrovë.
Naimi sipas vellait Safetit kishte shkuar të marrë dru për vete në mal, pasi kishte mbetur pa to. Sipas tij djali 12 vjeçar i Naimit është tronditur dhe nuk është në gjendje as të përshkruajë sesi ka ndodhur ngjarja dhe momentin e fundit kur është ndarë nga i ati.















