Gjithçka do të nisë më 25 gusht me seancën e komisionit për ndryshime kushtetuese, ku duhet të miratohen projekt/amendamentet e propozuara
Parlamenti maqedonas do të nisë javën e ardhshme debatin për ndryshimet kushtetuese. Gjithçka do të nisë më 25 gusht me seancën e komisionit për ndryshime kushtetuese, ku duhet të miratohen projekt/amendamentet e propozuara. Dy ditë më pas Parlamenti duhet të shprehet në lidhje me to. Pas miratimit nga legjislativi propozimet do të hidhen sërish në debat për 30 ditë.
Pas kësaj kohe Qeveria do të dërgojë sërish në Parlament projekt/amendamentet e plotësuara me vërejtjet dhe propozimet e dala nga debati. E gjithë procedura për miratimin e këtyre ndryshimeve pritet të përfundojë në fund të tetorit.
Në muajin korrik Parlamenti miratoi propozimin për qasje drejt ndryshimeve të Kushtetutës. Këto ndryshime u votuan nga deputetët e VMRO-DPMNE dhe BDI-së, deputeti i GROM, Çedomir Sazdovski dhe deputetja Mirsada Asani, që u fut në Parlament me siglën e RDK-së.
Kundër këtyre ndryshimeve ka votuar PDSH-ja, e cila ka shprehur kritika ndaj kësaj qasje, duke theksuar se duhen propozuar ndryshime edhe për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët.
Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski theksoi se vendimi për qasje drejt ndryshimeve të Kushtetutës u miratua me shumicën absolute prej 2/3 të votave dhe hyn në fuqi menjëherë.
Ndryshimet e Kushtetutës përcaktojnë këto çështje:
– Martesa përcaktohet si bashkim mes burrit dhe gruas,
– Saktësim të rregullave fiskale në buxhetin me kufizim të deficitit buxhetor prej 3 % dhe të borxhit publik prej 60 % nga GDP,
– Ndryshimi i emrit të Bankës Popullore
– Aplikimi i institutit “Ankesa kushtetuese”,
– Ndryshimi i përbërjes së Këshillit gjyqësor, (hiqen ministri i Drejtesise dhe kryetari i Gjykates Supreme nga Keshilli- aktualisht dy udheheqesit jane shqiptare)
– Ndryshime të kompetencës për vendosje për ankesat e vendimeve të Këshillit gjyqësor për zgjedhje të gjykatësve,
– Shkarkim ose sanksion tjetër i shqiptuar disiplinor për gjykatësin ose kryetarin e gjykatës dhe sjellje të kompetencës për vendosje për ankesat e vendimeve të Këshillit për prokurorë publikë për zgjedhje të prokurorëve publike,
– Shkarkim ose sanksion tjetër i shqiptuar disiplinor për prokurorin publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese,
– Krijim të Mundësisë kushtetuese për formim të zonës financiare, qasje drejt ndryshimeve të Kushtetutës, me qëllim të definimit të Entit shtetëror për revizion si kategori kushtetuese.















