Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili la jetën e tij në Gjermaninë dhe iu bashkua luftës, sot jeton i vetëm në një kontejner në lagjen “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë. Përveç gjendjes së vështirë ekonomike-sociale, ka plot 15 vite që përballet edhe me probleme shëndetësore.
Është ky Asllan Bahtiri, ish ushtar në zonën Operative të Pashtrikut. Por, pas përfundimit të luftës në vitin 1999, veteranit të UÇK-së i mungojnë gjërat elementare për jetesë.
Bahtiri thotë se që nga lëndimi i unazave të shpinës, gjatë luftës, asnjëherë nuk arriti të shërohej.
“E kom pas sëndukun me armatim, Pat gur. Më kanë rrëshqitë dy këmbët e jam ra”, ka thënë ai.
Dhimbjet janë duke iu rritur. Më 2006 pati bërë një operacionin. Mjekët i patën thënë se ka nevojë të shkojë në banjë të Pejës, që të paktën dhimbjet t`i largohen. Por, pasi nuk pati mundësi, në vitin 2011 për herë të parë kërkoi që një gjë e tillë t`i mundësohet nga shoqatat e dala nga lufta, gjegjësisht nga Bislim Syla, kryetar i veteranëve të luftës në degën e Prishtinës.
Kjo Bahtirit iu mohua, me arsyetimet e shoqatës se ka të tjerë që janë me gjendje më të keqe shëndetësore.
Në vitin 2013, shoqata arriti ta dërgojë atë për të parën dhe të fundit herë në banjë.
Edhe pse gjithë veteranëve të luftës, u është premtuar se u takon nga një banesë, në vendin ku janë të ndara për kategoritë e dala nga lufta, Asllani nuk e gëzoi atë. Sipas Bahtirit, shkaku që ai jeton i vetëm dhe numri i mangët i pikëve, ishin arsyet se pse ai nuk ishte përfitues i kësaj banese. Ndërsa, pretendon se ai ka më shumë se 20 pikë e se këto banesa i përfituan edhe ata të cilët i kishin nga 18.
“Këtu është përfitues edhe Faton Klinaku”, thotë ai.
Kur Asllani kishte shkuar të ankohet, kryetari i shoqatës, Bislim Syla, i kishte thënë se atë nuk e anashkalojnë, madje duke marrë parasysh vuajtjeve të tij, ishin duke e privilegjuar.
“Ti mu ski nevojë me më privilegju aspak, as ni trohë ma shumë se çka më takon”, i ka thënë ai.
Bahtiri tash kërkon nga i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vetëm disa minuta t`i ndajë pëpr të, për të dëgjuar hallet dhe vështirësitë me të cilat ai po përballet.
Bahtiri tregon se as disa metra dru që ishin të ndarë nga komuna e Prishtinës për veteranët e as ndihma ushqimore, nuk mori asnjëherë. Thotë se ishte dëshmitarë në momentin kur pa shumë familje duke dal me qese nga zyra e veteranëve të Degës së Prishtinës, të mbushura plot, e që as ato nuk ishte i ftuar t`i marr.















