Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se sot, e mërkure 13 gusht, ka filluar testimi i kandidatëve që kanë aplikuar në sektorin e shëndetësisë, në Komunën e Prishtinës.
Janë gjithsej 45 kandidatë që kanë konkurruar për pozitën “Doktorë të Mjekësisë”, si dhe 81 kandidatë kandidatë për pozitën “Teknikë të dhëmbëve”.
Raportohet se pos komisionit vlerësues, testimi është duke u zhvilluar në praninë e Komitetit për Shëndetësi të Komunës së Prishtinës, i cili përbëhet nga anëtarë të subjekteve të ndryshme politike, si dhe në praninë e përfaqësuesve të Sindikatës së Punëtorëve, ndërsa testet janë të koduara me shifra.
Po ashtu, nesër, 14 gusht, 2013, sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, testit me shkrim do t’i nënshtrohen 178 kandidatë, të ndarë në katër grupe, të cilët kanë aplikuar për pozitën “Infermiere të përgjithshme”.
E derisa vazhdojnë ethet e kandidatëve që kanë aplikuar për këto pozita, tashmë janë bërë publike rezultatet e një konkursi të mëhershëm të komunës e cila qeveriset nga kryetari Shpend Ahmeti. Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës me datë 13 qershor 2014, kishte shpallur për pranimin e 6 infermierëve dhe 6 mjekëve në Qendrën e Mjekësisë Urgjente (QMU). Një prej kandidatëve që ka grumbulluar më së shumti pikë vlerësuese konkursin për infermierë, në testimet që u mbajtën në datat 30 korrik dhe 5 gusht, doli të jetë Migjen Kosumi.
“Mund të them se ka qenë konkursi i parë që kam aplikuar dhe e tërë procedura e përzgjedhjes ka qenë shumë në rregull . Gjithçka ishte e monitoruar nga vëzhguesit. Dhe jam i kënaqur për faktin se askujt nuk i është bërë e padrejtë. Shpresojë që edhe komunat e tjera ta marrin si mostër këtë konkurs”, deklaron Migjen Kosumi për portalin Almakos.
Derisa nëpër institucione të ndryshme shtetërore, në nivelin qendror dhe lokal, në vazhdimësi të gjeturat e auditorit flasin për raste të ndryshme të shkeljes së ligjit në rastet e punësimeve të punëtorëve, ku evidentohen raste të mbipunësimit, punësime në pozicione pa konkurse, stërzgjatje e kontratave mbi vepër, ndërsa dominojnë rastet e punësimeve me “të njohshëm”, duket se Komuna e Prishtinës është duke e vendosur një standard të ri sa i përket procesit të pranimit të punë. Standard që dallon përmbajtësish nga praktikat e deritanishme.















