Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u angazhua pas përfundimit të pastrimit, toka ari përreth Gërdecit mbetet në vëmendje për ta rikthyer në pjellore
Autoritetet në Shqipëri e shpallën “të sigurtë” zonën e Gërdecit ku në 15 mars 2008 humbën jetën 26 persona, u lënduan mbi 300 të tjerë dhe gati 4 mijë objekte të ndryshëm u dëmtuan rëndë ose lehtë nga shpërthimi në punishten e çmontimit të predhave të ushtrisë.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se prej sot zona e Gërdecit certifikohet e sigurtë nga mbetjet e predhave dhe ndotja mjedisore.
Zonja Kodheli theksoi se tanimë Gërdeci fshihet nga harta si zonë e rrezikshme.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u angazhua për të vazhduar punën për të mos u përsëritur ngjarje si të 15 marsit 2008.
“Kjo zonë është gati për t’u përdorur nga Bashkia e Vorës dhe banorët. Kjo zonë u dëmtua për shkak të keqpërdorimit të atyre viteve. Ne japim mesazhin që kjo nuk duhet të ndodhë më. Paudhësitë e keqqeverisjes, dëshira për ta bërë këtë në kundërshtim me ligjin e kthehu këtë zonë me 26 të vrarë”-tha ministrja Kodheli.
Pas përfundimit të pastrimit, sipas zonjës Kodheli, toka ari përreth Gërdecit mbetet në vëmendje për ta rikthyer në pjellore:
“Këtu ka shumë punë për të bërë, që kjo zonë të fshihet nga harta si një zonë e rrezikshme dhe të rikthehet në një tokë pjellore për ata që jetojnë këtu”.
Ministrja shtoi se qëllimi është “që të mos kemi më histori të tilla në do të jemi të angazhuar për të bërë pastrimin e kësaj zone”.
Pastrimi i zonës u ndihmua nga ambasada amerikane, ambasada gjermane, PNUD dhe AMKON, strukturë që certifikon pastrimin e hot-spoteve.















