Studenti i Universitetit Europian të Tiranës, Alket Braho, ka mbrojtur tezën e Masterit të Shkencave me një punim për Partinë e Fortë…
Dy fushatat e fundit zgjedhore në Kosovë, krahas shumë ngjarjeve, si të veçantë pati edhe Partinë e Fortë. Simpatia për Partinë e Fortë i kapërceu kufijtë. Batutat e kryetarit të saj lexhendar nisën të përhapeshin përmes rrjeteve sociale dhe të komentoheshin gjerësisht.
Braho, student në programin Master për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim në Universitetin Europian të Tiranës, realizoi një studim mbi Partinë e Fortë.
Qëllimi kryesor i këtij punimi është të eksplorojë Partinë e Fortë, si një subjekt atipik për realitetin e Kosovës. Sipas këtij studimi, Partia e Fortë më shumë sesa një parti politike është një lëvizje sociale me tipare anarko-liberale që synon kundërshtimin e realitetit dhe establishmentit kosovar, i cili po e mban vendin në stagnim politik, ekonomik dhe social.
Hyrja e saj në skenën politike kosovare i bëri fushatat zgjedhore më sharmante dhe i çliroi njerëzit nga tensioni dhe përfshirja emocionale në zgjedhje. Nëse i referohemi suksesit të partive të tjera simotra në Evropë, studimi del në përfundimin se kjo parti nuk mund të kishte sukses të ngjashëm me to, pasi konteksti politik, ekonomik dhe social i Kosovës nuk ka të ngjarë fare me vendet e tjera të Evropës. Nga ana tjetër, del se Partia e Fortë nuk e ka pasur qëllim në vetvete suksesin elektoral. Edhe po ta kishte arritur, nuk do të dinte ç’të bënte me të. Qëllimi kryesor i tyre ka qenë influencimi në diskursin kritik të politikës në Kosovë dhe këtë e ka arritur.
Me daljen e Partisë së Fortë, me një ligjërim plot humor, ironi, sarkazëm dhe cinizëm, u krijua përshtypja se partitë e tjera ekzistuese do ta përdornin këtë subjekt si një lloj pasqyre ku do të shihnin veten e tyre dhe do të reflektonin për premtimet boshe që lëshonin para qytetarëve. Por, ndodhi në fakt krejt e kundërta. Subjektet e tjera nuk u ndikuan prej ligjërimit të PF-së. Ato e kanë tejkaluar Partinë e Fortë në premtime boshe.
Sipas studimit, Partia e Fortë rezulton në KQZ si një subjekt “normal” me program dhe statut gati aq modern e bashkëkohor si të partive të tjera, ndërsa aksioni dhe ligjërimi i tyre politik u perceptua si “anormal” prej elektoratit. Një lëvizje e tillë politike, ndoshta i duhet edhe Shqipërisë apo vendeve të tjera të rajonit, pasi pak a shumë realitetet janë të ngjashme sa i përket çështjeve politike, ekonomike dhe sociale. Por, në një plan më afatgjatë, modele të tilla partish, nëse nuk ofrojnë alternativa serioze dhe të qarta, janë të destinuara të zhduken. Publiku vjen një moment dhe tejngopet me të njëjtën formë e përmbajtje, thuhet ndër të tjera në studim.
Partia e Fortë nuk është thjesht një projekt zbavitës i disa të rinjve kreativë dhe inteligjentë, por diçka shumë më shumë se kaq. Përmes këtij studimi kupton më mirë realitetin që po prodhon sot establishmenti ynë politik, ekonomik dhe social në Kosovë dhe Shqipëri, realitet i cili ka prodhuar pikërisht këtë subjekt të ri politik.














