Një vrasje e pesëfishtë ka ndodhur në fshatin Suk 2 të Komunës Strumë në Fier në orën 8:00 të mëngjesit.
Sipas policisë, bëhet fjalë për një krim brenda familjes. Bajram Vrapi, 73 vjeç, mësohet se ka qëlluar ndaj dy vëllezërve të tij, kunatës, mbesës dhe në fund ka qëlluar veten e tij me një armë zjarri çifte.
Autori ka shkuar në shtëpinë e vëllait të tij Xhemal Vrapi, duke e qëlluar dhe vrarë të parin. Viktimat janë Xhemal Vrapi 79 vjeç, Besim Vrapi 60 vjeç, D.V. 43 vjeçe dhe M.V. 17 vjeçe.
Policia ka njoftuar se, 79-vjeçari nuk e ka vrarë veten menjëherë pas krimit në familje. Ai është rrethuar nga policia dhe ka hyrë në një arë misri. Thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ai nuk i është përgjigjur, por pas pak momentesh i ka dhënë fund jetës me armën e krimit.
Sipas burimeve të para të policisë, mësohet se autori nuk ka qenë dakord me fejesën e mbesës, duke mos pranuar lidhjen me personin që ajo kishte zgjedhur. Për këtë arsye ai ka shkuar në shtëpinë e të vëllait dhe pas një debati të ashpër ka nisur të qëllojë, duke shuar të gjithë familjen e tij.
Sipas dëshmive të para, 73-vjeçari ka tentuar të vrasë edhe gruan e nipin e tij, të cilët ndodheshin në shtëpi. Por këta të fundit, sapo kanë dëgjuar krismat e armës së gjahut, kanë vrapuar të fshihen në shtëpitë e fqinjëve, duke u mbyllur me çelës nga brenda. Autori i krimit i ka ndjekur nga pas dhe ka tentuar të hynte në shtëpinë e fqinjëve, por më pas është tërhequr.















