Deklarata e diplomates amerikane vjen pas protestave të shumta që përfshinë shtetin maqedonas si reagim ndaj çështjes “Monstra”
Ndihmës/sekretarja amerikane e Shtetit Viktoria Nuland deklaron se përmbushja e Marrëveshjes së Ohrit është kusht i domosdoshëm për të ardhmen e shtetit. Deklarata e diplomates amerikane vjen pas protestave të shumta që përfshinë shtetin maqedonas si reagim ndaj çështjes “Monstra”.
“Është absolutisht thelbësore që dy komunitetet të rriten dhe prosperojnë së bashku. SHBA-ja është e kënaqur për mundësinë e investimit fuqishëm për këtë vizion të integruar, në aspektin politik, ekonomik, të sigurisë. Folëm me kryeministrin se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku për sa i përket rajoneve shqiptare të Maqedonisë. Ne duam ta bëjmë këtë përmes investitorëve, kompanive amerikane dhe si mund të bëjmë më shumë për ta përforcuar bashkëpunimin rajonal ekonomik”, ka thënë Nuland.
“Do të punojnë me përkushtim për shoqërinë e integruar dhe kohezionin e forcuar ndëretnik dhe do të vazhdojmë me vëmendje dhe me përkushtim ta ndërtojmë bashkëjetesën dhe të forcojmë urat mes bashkësive”, tha Gruevski.
Nuland rikujtoi se aspiratat euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë mund të përmbushen vetëm pas zgjidhjes së çështjes së emrit. Në këtë kontekst Gruevski kërkoi ndihmën e SHBA-së dhe garantoi se Maqedonia do të vazhdojnë të jetë konstruktive në bisedimet me Greqinë.
Në vijim të vizitës së saj në Shkup, zyrtarja e lartë amerikane u takua edhe më kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Ky i fundit u ndal tek dënimi me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve në rastin “Monstra”, vendim që shkaktoi një valë zinxhir protestash në mbarë vendin, dhe jo vetëm.
“Ne kërkojmë drejtësi transparente, kërkojmë që organet e drejtësisë të mos ndajnë drejtësi selektive dhe kërkojmë që ky proces të monitorohet edhe nga specialistë të fushës, me qëllim që të rritet besueshmëria dhe kjo besueshmëri arrihet duke pasur transparencë ashtu siç kanë parë qytetarë transparencë tek Tribunali i Hagës”, ka thënë Ahmeti.
Kreu I BDI-së tha se vetëm përfshirja e vendit në BE dhe NATO ndikon në normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Në vijim, diplomatja amerikane zhvilloi një takim edhe me presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov, me të cilin bisedoi mbi proceset euro-atlantike të vendit.
“Integrimet euroatlantike kanë fuqi të madhe kohezive në shoqërinë tonë multietnike dhe jo rastësisht gëzojnë mbështetje të madhe politike, etnike dhe sociale. Statuskuoja e stërgjatë në integrimet nuk ndihmojnë në avancimin e modelit të Maqedonisë të bashkëjetesës dhe nga ky aspekt për Republikën e Maqedonisë është jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja e mëtutjeshme akoma më e fuqishme nga SHBA-ja”, tha Ivanov.
Nga ana e saj, zonja Nuland siguroi presidentin Ivanov se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Republikën e Maqedonisë në realizimin e këtyre qëllimeve.
“Republika e Maqedonisë, sikur edhe deri më tani, ashtu edhe në periudhën e ardhshme, mund të konsiderojë në mbështetje të fuqishme të SHBA-së në realizimin e qëllimeve strategjike të vendosura”, tha Nuland.
Diplomatja amerikane bëri sërish thirrje që të gjithë liderët politikë në vend të punojnë në përforcimin e mëtejshëm të besimit.















