Zv/kryeministri maqedonas Fatmir Besimi kërkoi përkrahje nga BE dhe institucionet e saj në lehtësimin e dialogut për kontestin me Greqinë, me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimit
Republika e Maqedonisë është e hapur dhe e gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për çështjen e emrit me Greqinë. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri maqedonas për Çështje Evropiane Fatmir Besimi në takimet e zhvilluara në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të BE për Punë të jashtme, Pier Vimont si dhe Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit Evropian për punë të jashtme, Fernando Xhentilini.
Besimi kërkoi përkrahje nga Bashkimi Europian dhe institucionet e saj në lehtësimin e dialogut për kontestin me Greqinë, me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimit të Republikës së Maqedonisë si dhe për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e BE-së në implementimin e reformave, raporton portali i lajmeve “Zhurnal.mk”
Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës që zv/kryeministri maqedonas diskutoi me diplomatët europiane ishte edhe dialogu politik me opozitën dhe marrëdhëniet ndëretnike. Duke folur për këto çështje u konstatua se është e rëndësishme që shteti maqedonas të menaxhojë me sukses situatën, sepse kjo sipas zyrtarëve Vimont e Xhentilini ka ndikim në procesin e integrimit evropian të vendit.
Në vijim të bisedës Besimi ka përsëritur përkushtimin e qeverisë maqedonase për integrim dhe ka theksuar se kjo mbetet prioritet strategjik i saj. Ai ka njohur bashkëbiseduesit me reformat e ndërmarra me qëllim përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut, lirinë e mediave, reformat në gjyqësor apo dhe përpjekjet për marrëdhëniet e mira ndëretnike si dhe zbatimin e prioriteteve që dalin nga Progres-Raporti i Këshillit të Evropës.
Zv/kryeministri u shpreh se integrimi evropian është i rëndësishëm për integrimin e brendshëm dhe rajonal dhe se situata e “status- quo” është e paqëndrueshme për shtetin maqedonas si dhe për stabilitetin e gjithë rajonit.













