Fatmir Braka, avokati i ish-kryeprokurores, Ina Rama tha se vendimi i Gjykatës Administrative ishte politik dhe i pambështetur në ligj.
Ish-Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama iu rrëzua nga Gjykata Administrative kërkesa për t’u rikthyer në detyrë si gjykatëse në Gjykatën e Apelit.
Kjo ishte përballja e parë e zonjës Rama me gjykatën qëkurse Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi të njejtën kërkesë me 8 vota kundër dhe 4 pro.
Gjyqi u zhvillua pasi zonja Rama e paditi Këshillin e Lartë të Drejtësisë për këtë vendim të 24 shkurtit 2014.
Avokati i ish-kryeprokurores, Fatmir Braka tha se vendimi i Gjykatës Administrative ishte politik dhe i pambështetur në ligj:
“Vendimi i sotëm ishte politik dhe ishte në sinkron me qëndrimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Zonja Rama prej kur mbaroi mandatin nuk ka punuar gjyqtare, sikurse ishte përpara se të Prokurore e Përgjithshme.
Sipas avokatit Braka, klientja Rama do të vazhdojë të luftojë me drejtësinë deri në fund, në çdo shkallë gjyqësori brenda dhe jashtë Shqipërisë:
“Gjatë tërë procesit ne vërejtëm se po shkelej ligji. Të përcaktojmë të paktën shkeljet e gjykatës dhe mundësisht deri në Strazburg do ta çojmë çështjen”.
“Ne, – vijoi avokati Braka, – do të bëjmë ankesën ndaj vendimit të sotëm duke ndjekur të gjitha rrugët që na lejon drejtësia”.
Arsyetimi i KLD-së për rrëzimin e kërkesës në 24 shkurt ishte se zonja Rama mbante detyrën si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda dhe jo në Gjykatën e Apelit.
KLD vlerësoi se për një vend si gjyqtare në Apel, ish-kryeprokurorja duhet të përfshihej në procesin e konkursit sikurse çdo pretendent tjetër.
Zonja Rama nuk pranoi propozimin e KLD-së për t’u kthyer në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda me arsyetimin se në këtë strukturë gjyqësore vazhdojnë gjykimet për disa persona të dyshuar për krime të rënda që janë dërguar prej saj në proces si ish-shefe e akuzës.














